Parlamenti miratoi sot pozicionin negociues të qeverisë për grupimin e tretë të kapitujve “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”.
Ministrja e shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka gjatë mbledhjes së Komisionit të Integrimit vuri në dukje se në muajt e fundit Shqipëria ka hapur negociatat për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian për 27 kapituj; nga 35 që përfshin ky proces në total.
“Ne po diskutojmë me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë mbi çeljen e negociatave për tetë fusha të reja të konkurrueshmërisë dhe rritjes gjithëpërfshirëse, pasi Bashkimi Evropian njohu progresin e Shqipërisë me reformat në këtë fushë, duke sinjalizuar se Shqipëria është e përgatitur për t’i çelur negociatat në këto 8 kapituj”, tha Majlinda Dhuka.
Në emër të opozites , kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku vuri në dukje se procesi i integrimit duhet të jetë një proces kombëtar dhe ka nevojë që dokumentet të jenë transparente dhe në debat të përfshihet e gjithë shoqëria shqiptare.
“Ne i diskutuam në një mbledhje të mbyllur se cilat ishin çështjet që nuk publikohen, por për transparencë të këtij procesi, e përsëris edhe një herë kërkesën për nisjen e një dialogu gjithëpërfshirës me të gjitha palët. Ky nuk është një proces që mund ta kryejë vetëm një ministri apo një administratë, por është një proces kombëtar”, tha Tabaku.
Kryeministri Edi Rama dhe PS ka premtuar se negociatat për 35 kapitujt që përfshin procesi i integrimit do të përfundojë brenda 5 viteve e Shqipëria do të jetë anëtare e BE në vitin 2030. /vizionplus.tv





