Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi ka komentuar vendimin e opozitës për t’u ulur në të njëjtën tryezë me mazhorancën për reformën zgjedhore.

 

Në një intervistë për “Vizion +”, Bylykbashi ka deklaruar se përmes marrëveshjes së të martës, opozita dhe mazhoranca do të bëjnë reformën zgjedhore jashtë Parlamentit.

 

Sipas tij, dokumenti garanton se kjo reformë do të jetë konsensuale e gjithëpërfshirëse, duke zbatuar edhe kushtet e Bundestagut.

 

Më poshtë intervista e plotë:

 

-Ju njiheni si arkitekti kryesor në Partinë Demokratike për çështjen e zgjedhjeve. Pyetja ime e parë për ju është a mund të jetë ngjarja e sotme, tryeza e sotme fillimi i fundit të krizës politike në Shqipëri?

 

Së pari, është fakt që kemi një krizë politike shumë të rëndë politike, institucionale , kushtetuese. Këtë e thotë, e konstaton edhe Bundestag në ato kushte që vendos. Pra duhet zgjidhur kriza.

 

-Dhe ulja sot në tryezë…

 

Dhe ajo që të gjithë shqiptarët kuptojnë tashmë dhe po ashtu i gjithë faktori ndërkombëtar, kupton që tashmë zgjidhje e kësaj krize janë vetëm zgjedhjet, nuk ka tjetër. Reforma zgjedhore nuk bën gjë tjetër veçse garanton më shumë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm, atë që OSBE-ODHIR e ka bërë copash duke filluar nga viti 2015 deri në vitin 2019. Për rrjedhojë marrëveshja e sotme kontribuon në këtë drejtim. Gjithashtu hap rrugën për një moment shumë të rëndësishëm, për fazën e dytë të atyre kushteve që vendos Bundestagu. Ju e keni parasysh që është ndarë në dy faza. Reforma zgjedhore të testohet dhe një reformë zgjedhore nuk mund të testohet me dorashka.

 

-Çfarë ka ndodhur ndërkohë zoti Bylykbashi, themi nga muaji shtator-tetor e këtej që sot Partia Demokratike u ul në tryezë. Çfarë tërheqjeje bëri shumica që ne nuk e dimë ose që publiku nuk e di, çfarë hapi mbrapa brëi që ju bëri juve të uleni në tryezë?

 

Unë përmenda pak më parë Bundestagun, kushtet që janë vendosur prej tij nga Bashkimi Evropian…

 

-Në këto muaj çfarë ndodhi?

 

Ajo që dimë ne është kjo që prëveç kushteve të Bundestagut ne në fundin e shtatorit të vitit që shkoi, e dinë të gjithë shqiptarët, PD propozoi planin me pesë pika. Çfarë thuhej në atë plan? Kërkojmë që reforma zgjedhore të bëhet jashtë këtij Parlamenti me një mekanizëm gjithëpërfshirës, ku do të jetë Parlamenti dhe opozita dhe kjo garantohet nga marrëveshja.

 

-Formati juaj nuk ishte vetëm kështu. Ishte që shumica, opozita që ju parakuptonit veten tuaj dhe faktori ndërkombëtar. Dhe jo opozitën brenda në Parlament.

 

Pikërisht këtë po thosha. Duhesh një instrument jashtë Parlamentit sepse ky Parlament nuk garanton legjitimitetin as kushtetues dhe jo më atë politik, besueshmërinë që duhet të ketë tek njerëzit dhe tek ndërkombëtarët. Që reforma duhet të jetë konsensuale dhe këtë e thotë marrëveshja. Pra palët angazhohen për një reformë konsensuale, jo më për ato broçkullat e kryeministrit që thotë unë e bëj vetëm, unë nuk pyes, unë eci përpara, di unë sesi e bëj , etj.. Ky konsesus do të qëndrojë i paalteruar, i pandryshuar nga Parlamenti pasi palët ta bëjnë këtë marrëveshje. Pra nuk do të ndryshojë. Kjo do të bëhet me ndërkombëtarët dhe OSBE-ODHIR është instrumenti më i mirë në 20-vjeçarin e fundit që ka pasur Shqipëria si asistencë zgjedhore për të garantuar që ato që kemi bërë ne janë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Kjo është arsyeja që gjatë gjithë reformave kanë krijuar një kod që ODHIR sot e kësaj dite thotë që është një bazë e mirë për të bërë zgjedhje demokratike.

 

-Këto janë arsyet që ju bënë juve të tërhiqeni nga stigma që i vutë Damian Gjiknurit si një njeri që nuk duhet të ishte në proces?

 

Ajo që ne kemi garantuar është që në këtë marrëveshje që rregullon procesin e reformës, nuk merret me substancën e reformës, pra çështjet do të diskutohen duke filluar nga Këshilli Politik që do të autorizojë më pas përfaqësuesit politikë dhe ekspertët do të trajtojnë çështjet. Ne kemi arritur të garantojmë atë që kërkonim të realizonim dhe kjo të na çojë tek një reformë e besueshme. Ne e dimë shumë mirë, e kemi të qartë që pala përballë nesh është Partia Socialiste, është ajo që ka masakruar procesin zgjedhor në 2015, në 2017 dhe në 2019. E dimë që autori i gjithë kësaj është Edi Rama dhe më pas e gjithë piramida poshtë tij… Ne nuk kemi bërë një marrëveshje, ky dokument përcakton rregullat me të cilat ne do të ndeshemi në reformë zgjedhore dhe në politikë, por nuk ka asnjë grimcë që ne bëjmë hapin pas në të gjitha ato që ne kërkojmë për ndëshkimin e krimeve zgjedhore dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve të Republikës së Shqipërisë. Problemi është Edi Rama me gjithë Partinë Socialiste të kapur nga krimi, por në këtë rast për ne ka interes që ne të kryejmë këtë reformë zgjedhore ashtu siç e kemi përcaktuar. Se kush ulet nga krahu tjetër, rëndësia është minimale.

 

-Publiku nuk e ka harruar që ju për një vit të tërë keni thënë që nuk ka zgjedhje në Shqipëri me Edi Ramën kryeministër. Por në këtë mënyrë, zgjedhjet do të bëhen me Edi Ramën kryeministër.

 

Kush e ka thënë këtë. Në asnjë pikë të marrëveshjes nuk thuhet kjo. Kjo garanton vetëm që një reformë zgjedhore të kryhet me konsensus dhe më pas kjo reformë zgjedhore siç thotë Bundestagu duhet të testohet. Dhe testimi bëhet në zgjedhje dhe Edi Rama ka provuar diçka. E lëmë mënjanë Kodin Zgjedhor që ka shkelur dhe marrim një ligj shumë të fortë që e ka votuar vetë, ligjin e dekriminalizimit. Përsëri, edhe pas ligjit, vazhdon dhe vendos kriminelët për t’u zgjedhur apo edhe për t’u emëruar siç qe rasti i kryetarit të bashkisë.

 

-Ndëshkohet me ligjin sepse ata që janë zgjedhur dhe janë kapur ndëshkohen. Ligji po funksionon.

 

Ndëshkohen kriminelët, çështja që po shtrojmë është Edi Rama pse, edhe kur e ka fushën të lirë, vendos kriminelët.

 

-Që do të thotë është bonus për ju.

 

Nuk është bonus, është interesi publik i shqiptarëve. Ai provon që pavarësisht ligjit dhe Kushtetutës, ai e shkel. Ja pse nuk mund të bëhen zgjedhjet me të.

 

-Pyetja e fundit, edhe sot zoti Basha tha se do të kemi zgjedhje, do të duhet të bëjmë zgjedhje të parakohshme në një ditë zgjedhjet vendore dhe ato të përgjithshme. Duket më tepër si një mënyrë për të dalë nga një lloj ngërçi sepse realisht, fizikisht, praktikisht nuk ka kohë për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e kohës janë si sot 16-18 muaj.

 

Zgjedhjet e parakohshme bëhen brenda 45 ditësh nga momenti kur shpallen.

 

-Teorikisht po.

 

Jo teorikisht. Kështu janë zgjedhjet e parakohshme. Dhe zgjedhjet e parakohshme janë mekanizmi i vetëm i cili do të drenojë kënetën e fëlliqur në të cilën e ka futur Edi Rama politikën parlamentare dhe institucionet e Shqipërisë. Është e vetmja mënyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *