Edhe pse kanë kaluar dy vite nga miratimi i ligjit në Parlament, bastet sportive ende nuk janë të ligjshme në Shqipëri.
Legalizimi i aktivitetit ka mbetur peng i akteve nënligjore. Ministria e Financave thotë se deri tani ka gati vetëm 3 akte, ndërsa për kuadrin e plotë ligjor po punohet ende.
“Ne e pritëm legalizimin e këtij aktiviteti sepse do të ishte një ndihmë e rëndësishme për sportin, kulturën dhe rininë. Këto para, sa të shkojnë për të ushqyer aktivitete të tjera të paligjshme, do të hynin në sport, diçka e kërkuar gjithmonë nga sporti për të mbështetur më tepër aktivitetin e fëmijëve, të rinjve, të sportistëve elitarë”, tha Artan Shyti, ish-kryetar i Shoqatës Së Basteve.
Një nga aktet nënligjore u miratua të premten, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Bëhet fjalë për krijimin e një regjistri elektronik me emrat e individëve që nuk do të lejohen të luajnë baste sportive sepse më parë kanë shfaqur probleme me përdorimin e lojërave të fatit, duke kërcënuar stabilitetin indiidual dhe financiar të familjes.
“Një nga problemet që kemi pasur ne është që nëse bëhet online, është më e vështirë për t’u kontrolluar sepse sot çdokush ka një telefon dhe ka mundësi për të luajtur edhe përtej ligjit. Pikat fizike janë më të lehta për t’u kontrolluar sepse nuk të lejon njeri të hysh brenda nëse ti je në regjistër. Megjithatë, sot ka zgjidhje për gjithçka dhe mua realisht më pëlqeu shumë fakti që është marrë ky vendim sepse kjo tregon që shteti nga njëra anë kërkon ta rregullojë me ligj, por do edhe ta kufizojë për ata njerëz që e teprojnë me këtë aktivitet”, shtoi Shyti.
Kjo periudhë që pas miratimit të ligjit për rikthimin e basteve sportive ka qenë e mbushur me aksione të policisë që godasin individët që e ushtrojnë këtë aktivitet sepse ai nuk quhet i ligjshëm deri në miratimin e të gjitha akteve nënligjore.
“Po bëhet një aktivitet i paligjshëm me një ligj të miratuar. Një kategori e mirë e atyre që luajnë ndoshta luajnë sot… Ata luajnë në paligjshmëri, por ndoshta mendojnë që është miratuar ligji. Në momentin që ligji miratohet, normalisht ai duhet të hyjë në fuqi dhe nënkupton që aktet nënligjore që duhen bërë, po nuk u bënë, ngarkojnë me përgjegjësi atë që duhet t’i bëjë dhe jo atë që luan”, tha Shyti.
Me ndryshimet e miratuara ligjore, për të luajtur baste sportive online, qytetarët do të duhet të regjistrohen me anë të kartës së tyre të idenitetit në faqet web ose aplikacionet e licencuara për ushtrimin e kësaj veprimtarie./vizionplus.tv





