Subscribe

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha firmosi marrëveshjen me Shoqatën e Bashkuar të Fasonëve. Në fjalën e tij me të pranishmit, Basha tha fasoneria edhe pse është një nga sektorët më të rëndësishëm sa i përket punësimit, nuk është ndihmuar për 8 vite.

Kreu i demokratëve e konsideruar marrëveshjen si njё garanci shtesë e zotimeve të qeverisë së ardhshme për të shëruar, për ta rritur dhe transformuar fasonerinё nё njё sektor tё fuqishëm zhvillimi me investime kapitale.

“Gjatë këtyre 30 viteve, sektori juaj ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara. Cilësia e prodhimit është rritur, numri i punonjësve është rritur dhe ju keni arritur të krijoni faktikisht në shumë rase dhe brendin tuaj. Për shumëkënd mund te jetë habi fakti që në Shqipëri prodhohen disa prej mallrave më cilësore, të cilat tregtohen në tregun europian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në tregjet e vendeve të tjera të zhvilluara. Por këto 8 vite për fat të keq na kanë bashkuar kryesisht për problemet e njëpasnjëshme, të cilat i janë shkaktuar fasonerisë shqiptare dhe pastaj janë përcjell edhe tek qytetarët, tek punonjësit tuaj dhe tek familjet e tyre. Mbaj mend takimin e parë kur u mor vendimi për rritjen e çmimit të energjisë, pasuan rritja e çmimit të naftës, padiskutim ndryshimi i tatim fitimit duke shkuar nga taksa e sheshtë atëherë 10%, në taksën 15%. Tatimi progresiv mbi të ardhuar personale, një ndryshim kryekëput i gabuar dhe ndëshkues në qëndrimin e inspektoriateve ndaj jush, duke nisur nga tatimorët tek inspektoriatet e punës, të mjedisit, të cilat janë kthyer në një stres të përditshëm për sipërmarrësin shqiptarë, e në veçanti për ju. Padiskutim edhe luhatjet e pashpjegueshme nga ana ekonomike të kursit të këmbimit, të cilat zënë një vend të veçantë në raport me industrinë tuaj, duke qenë që është një industri e cila varet nga eksporti.”

Basha theksoi më tej se me takën e sheshtë 9%, kontributet 18, heqja e taksës Rama 240 lekë mbi karburantin, janë pjesë e paketës që do të prekë gjithë ekonominë shqiptare e në veçanti sektorin e fasonerive.

“Në këtë mënyrë ne do të arrijmë jo thjeshtë tu rimëkëmbim, jo thjeshtë tu nxjerrim nga situata e borxheve, apo e gjendjes aktuale ku shumë prej jush po paguajnë nga xhepi punëtorët për mos i larguar ato, qoftë si një gjest xheneroziteti që në fakt nuk ju takon ju, por i takon qeverisë ta bëj me taksat që ju merr ju, qoftë edhe për faktin se ata janë trajnuar gjatë kësaj kohe dhe trajnimi në vetvete është një proces që ju ka kushtuar mund, djersë, para, por ne do të bëjmë të mundur përmes këtyre masave, që ju me shtetin në krahë të fuqizoni sipërmarrjen, të rrisni numrin e të punësuarve dhe në këtë mënyrë së bashku të arrijmë edhe interesin tonë madhorë që është paga minimale prej 360 mijë lekë në muaj, e cila pastaj do të ketë një pagesë të sigurimeve shoqërore prej 18%. Kursimet që do të vijnë nga këto, garancitë që do të sjellin edhe përmes fondeve të garancisë edhe përmes mbështetjes së eksportit, vëmendja që do t’ju kushtojmë, investimet që do të paguhen me taksat tuaja për të ndihmuar infrastrukturën dhe logjistikën tuaj, do të sjellin në radhë të parë rritjen e fitimeve, të përfitimeve të industrisë dhe pastaj ndarjen e tyre në mënyrë që ky trekëndësh të funksionojë siç duhet, ju të punoni të çliruar nga ankthi, nga makthi i përditshëm dhe nga barra shtesë e taksave dhe çmimeve të rritura, ne t’ju ndihmojmë në të gjitha aspektet, ju të përfitoni, punonjësit tuaj. Bëhet fjalë pra për një angazhim që mund të sjellë dyfishimin e kontributit tuaj në ekonomi, mund të sjellë pa frikë edhe e mundësive për punësim në sektorin tuaj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *