Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani veçoi ndihmën dhe mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën. Në këtë 13-vjetor të pavarësisë së Kosovës, ambasadori tha për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” se pa Shqipërinë nuk mund të bëhej asgjë. Sa i takon mosliberalizimit të vizave, Nait Hasani sqaroi se kjo çështje i takon BE tashmë.

“Kosova i ka realizuar të gjitha premtimet dhe standardet që ka kërkuar BE. Është çështja e BE, liberalizimi i vizave. Për Kosovën, ky është i mbyllur si kapitull. Ne na duhet të luftojmë korrupsuionin, të bëjmë shtetin e së drejtës. Krahu i djathtë i Kosovës është Shqipëria, pa Shqipërinë nuk mund të bëjmë, nuk mund të zhvillohemi dhe nuk mund të ecim. Jemi shqiptarë të dy shtetet, mbështetja e Shqipërisë në këtë drejtim në BE për ndihmën e Kosovës është e pazëvendësueshme”, tha ai për “Vizion Plus”.

Diplomati i lartë komentoi edhe përballjen me drejtësinë në Hagë të ish-liderëve të UÇK.

“Kosova dhe qytetarët e Kosovës, Presidenca, deputetët kanë marrë vendime të rëndësishme dhe historike për zhvillimin e vendit. Ndër to ishte edhe themelimi i Gjykatës Speciale. Shkuarja në këtë gjykatë është e dhimbshme, e dëmshme, por duhet të përballemi edhe me këë drejtësi për të nxjerrë Kosovën faqebardhë. Ne besojmë në luftën tonë, në drejtësinë”, shtoi Nait Hasani.

Ambasadori nëvizoi se në 13 vite shtet i pavarur, Kosova ka arritje të jashtëzakonshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *