Që prej kësaj të hëne ka nisur shpërndarja e librave shkollorë falas për nxënësit në të gjithë vendin.
“Kemi filluar shpërndarjen e librave falas për 236 mijë nxënës në të gjithë vendin. Janë rreth 9 milion euro për të garantuar librat shkollorë falas nga klasa e parë deri në të nëntë dhe gjithashtu për 16 kategori nxënësish të cilët janë në gjimnaze”, tha ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu..
Në listën e përfituesve që ndjekin arsimin e mesëm hyjnë nxënës nga familje me vështirësi ekonomike e sociale, fëmijë me aftësi ndryshe, ata që i përkasin pakicave dhe komuniteteve minoritare dhe kategori të tjera sociale.
Institucionet arsimore publike janë udhëzuar të mbledhin librat e përdorur gjatë vitit të kaluar, të cilët kalojnë në komisione të posaçme në çdo shkollë, për të vlerësuar gjendjen e tyre.
Pas kësaj procedure, tekstet rishpërndahen për nxënësit sipas kategorive që përfitojnë për vitin pasardhës.
Procesi i shpërndarjes, do të vazhdojë deri më 7 shtator, vetëm një ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, për tu dhënë kohën e nevojshmë për pajisjen me libra./vizionplus.tv





