Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, priti në një takim përfaqësuesen e Programit ICITAP për Evropën dhe Azinë, znj. Alexzandria Burns, si dhe drejtuesin e Programit ICITAP në Shqipëri, z. Richard Deasy.
Gjatë takimit u vlerësua partneriteti i shkëlqyer mbi 30-vjeçar ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Programit ICITAP, një bashkëpunim strategjik që ka dhënë një kontribut të çmuar në modernizimin e Policisë së Shtetit, rritjen e kapaciteteve profesionale, forcimin e integritetit institucional dhe përmirësimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve.
Drejtues Madhor Skender Hita shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që ICITAP i ka ofruar Policisë së Shtetit ndër vite, përmes asistencës teknike, këshillimit strategjik, programeve të trajnimit dhe projekteve të zhvillimit institucional, duke e cilësuar këtë partneritet si një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të institucionit.
Gjatë bisedës, Drejtori i Përgjithshëm theksoi se thellimi i bashkëpunimit me ICITAP-in, Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe agjencitë partnere ligjzbatuese mbetet një prioritet strategjik i Policisë së Shtetit, me synim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve profesionale, shkëmbimin e përvojave më të mira ndërkombëtare, përdorimin e teknologjive moderne dhe rritjen e efektivitetit në parandalimin dhe goditjen e krimit.
Palët vlerësuan se partneriteti i ndërtuar mbi besimin, profesionalizmin dhe vlerat e përbashkëta ka sjellë rezultate konkrete në forcimin e sigurisë publike dhe të sundimit të ligjit, si dhe riafirmuan angazhimin për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me objektivin e përbashkët për ndërtimin e një Policie Shteti gjithnjë e më moderne, profesionale dhe më pranë qytetarëve.





