Vera është stina kur kemi më shumë kohë për veten dhe një libër cilësor mund të kthehet në shoqëruesin më të mirë të pushimeve. Nga romanet që të mbajnë pezull deri te historitë frymëzuese dhe librat për fëmijë, Botimet “Living” sjell disa prej titujve që premtojnë ta bëjnë këtë verë edhe më të pasur me lexime.
Por cilat janë sugjerimet e këtij sezoni dhe pse ia vlen t’i merrni me vete në valixhen e pushimeve?
“Kemi ‘Shokët e mi’, kemi ‘Lojëra të Rrezikshme’ nga Colleen Hoover, që të gjithë e njohin. Kemi ‘Të Paftuarat’, një thriller nga një autor mjaft i njohur, të cilin e kemi pasur edhe më parë. Daniel Silva, po ashtu, vjen me titujt e tij”, tha Birxhilda Kolndreu, Bookland.
Përtej rekomandimeve të botuesve, një rol gjithnjë e më të madh në zgjedhjen e librave po luajnë edhe rrjetet sociale. Platforma si TikTok, Instagram dhe Facebook, etj., kanë krijuar komunitete të mëdha lexuesish, ku një rekomandim apo një video e shkurtër mund ta kthejë një libër në bestseller brenda pak ditësh. Edhe në Shqipëri, ky fenomen po ndikon gjithnjë e më shumë te preferencat e lexuesve, veçanërisht të të rinjve.
“Duke shpresuar që rrjetet sociale të kenë edhe një efekt pozitiv, sepse ka disa trende ose sugjerime që u imponohen, qofshin të rinjve. Një prej tyre është trendi i letërsisë së mirë, domethënë listat me njëqind librat më të mirë që duhet patjetër të lexohen. Edhe një pjesë e këtyre të rinjve kanë prirjen dhe dëshirën ta ndjekin këtë lloj trendi”, shtoi Kolndreu.
Megjithatë, pavarësisht trendeve të momentit, lexuesit vazhdojnë të mbeten besnikë edhe ndaj zhanreve që preferojnë më shumë. Ajo që mbetet e pandryshuar është dëshira për të gjetur libra me histori që të mbajne te lidhur me librin.
“Po shohim një prirje drejt thrillerëve, në fakt. Pjesa më e madhe e njerëzve, si duket, duan diçka që i mban të mbërthyer pas librit; kanë dëshirën të kenë atë elementin e misterit brenda. Pjesa më e madhe, sidomos të rinjtë, zgjedhin autorët e huaj të përkthyer në shqip”, tha Kolndreu.
Në një kohë kur ekranet zënë një pjesë të madhe të përditshmërisë sonë, libri vazhdon të mbetet një mënyrë e veçantë për t’u arratisur, për të reflektuar dhe për të udhëtuar përmes faqeve. Ndaj titujt e rinj të letërsisë bashkëkohore për të gjithë grupmoshat i gjeni të sjella në gjuhën shqipe vetëm nga botimet “Living”, pranë librarisë “Bookland” në galerinë Etc dhe më gjerë në të gjitha libraritë e Tiranës.




