Shkolla e Vashave hap dyert, ekspozohen sende e dokumente që lidhen me figurën e Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi

Për 135 vite, kjo godinë mbart historinë e një prej nismave më të rëndësishme për arsimimin e vajzave shqiptare. Shkolla e Vashave në Korçë, e lidhur me emrat e Sevasti dhe Parashqevi Qiriazit, u kthye në simbol të guximit dhe emancipimit të gruas shqiptare.
Pas shumë vitesh e mbyllur, godina historike ka hapur dyert për publikun, ndërsa së fundmi ka nisur edhe procesi i rikonstruksionit. Përvjetori u shënua me një ekspozitë të veçantë, ku libra, dorëshkrime, flamuj dhe objekte historike u prezantuan për herë të parë për vizitorët.
“Për herë të parë që nga viti 1930, dyert janë hapur për publikun, që njerëzit ta shohin këtë vend dhe disa nga objektet që ruhen këtu, si libra, flamuj dhe materiale të tjera. Por më e rëndësishmja është vetë godina. Në atë kohë, që një vajzë të shkonte në shkollë ishte tabu, ishte problem dhe shoqërohej me kundërshtime. Sevasti dhe Gjerasimi treguan guxim, ashtu si edhe ata që mbështetën arsimin. Jemi shumë të gëzuar që korçarët dhe njerëz nga vende të ndryshme po vijnë për të parë se si ka qenë ky vend”, thotë studiuesi David Hosaflook.
Rëndësia e kësaj godine nuk lidhet vetëm me historinë e arsimit, por edhe me dokumentet që dëshmojnë veprimtarinë e familjes Qiriazi. Një pjesë e tyre ruhen në Bibliotekën Kombëtare, ku ndodhen libra, dorëshkrime dhe materiale që u përkisnin Sevasti dhe Parashqevi Qiriazit.
“Ajo që i bën këto materiale të identifikueshme janë pikërisht shënimet dhe nënshkrimet që vetë zonjat kanë vendosur në to. Për publikun, këto materiale prezantohen sot për herë të parë. Kjo ekspozitë është një mundësi që vizitorët t’i shohin nga afër këto thesare, sepse nuk është çdo ditë që kemi mundësinë të shohim dokumente të tilla. Rreth 135 vite më parë, të merrje një shtëpi dhe ta ktheje në shkollë për vajza nuk ishte një veprim i zakonshëm, por një akt guximi. Flasim për një periudhë kur gruaja nuk ishte e emancipuar dhe përballej me përçmim e paragjykime në shoqëri”, thotë Majlinda Toçi, drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare.
Përtej përkujtimit të 135-vjetorit, sfidë tashmë është ruajtja dhe rijetëzimi i kësaj trashëgimie.




