Në këmbim të garancisë pasurore, Gjykata e Posaçme liron nga izolimi shtëpiak pas 20 muajsh dhëndrin e ish- kryeministrit të vendit, Jamarbër Malltezin. Vendimin Malltezi e quan të vonuar, ndërsa procesin gjyqësor për të cilin akuzohet për pastrim parash dhe korrupsion e konsideron të ndikuar politikisht.
Malltezi: Vendimi i sotshëm vjen pas mbi 20 muajsh privim lirie, vetëm me një urdhër politik të Edi Ramës. E mbajmë mend se si në kongresin e PS Rama urdhëroi publikisht SPAK të procedojë penalisht Sali Berishën. Të njëjtën gjë i kanë kërkuar edhe diplomatë të korruptuar amerikanë si Yuri Kim apo Gabriel Escobar. Prandaj kemi të bëjmë me një proces politik por që akoma më tej u ndot gjatë rrugës.
Për të rifituar lirinë, Malltezi do të duhet të paguajë 3 milionë lekë.
Sipas organit të posaçëm të akuzës, Malltezi shfrytëzoi pozitën e vjehrrit të tij, Sali Berisha si kryeministër në mënyrë që të përfitonte privatizmin e trojeve të kompleksit të dikurshëm, Partizani.
Në total për aferën “Partizani” veç Berishës e Malltezit janë marrë edhe dy biznesmenët, Fatmir Bektashi e Xhimi Begeja, së bashku me juristen, Andia Pustina.





