Prej ditësh, ndaj bizneseve vendase ka nisur një sulm i orkestruar, me qëllime të pastra kundër interesave kombëtare, duke u përpjekur të pengojë dhe sabotojë punën e tyre. Profile të caktuara në rrjetet sociale po shfrytëzojnë momentin e protestës për të bërë thirrje ekstremiste kundër një grupi biznesesh, që sipas tyre, nuk i kanë mbështetur në kauzën e tyre kundër qeverisë. Por një veprim i tillë radikal dhe i paprecedent, për shkak të një euforie të momentit, sjell pasoja të rënda në ekonominë e vendit.
“Për mua kjo është e papranueshme sepse të sulmosh bizneset në vetvete, do të thotë të sulmosh ekonominë e të gjithë shoqërisë. Ekonomia nuk është vetëm e një numri x biznesesh, por është e gjithë vendit dhe e gjithë shoqërisë. Dhe të targetosh një sërë të caktuar biznesesh pse nuk kanë marrë pjesë në protestë, kjo nuk ka se si të justifikohet. Dëmi që mund të sjellë në ekonominë e vendit më pas është i madh, i keq. Mundet që si pasojë e mëtij marketingu të keq dhe uljes së konsumit në biznese të caktuara, ndikon te punësimi tek ata që kanë, te tatimet që ata paguajnë, te qarkullimi, xhuiroja e përgjithshme që ata bëjnë dhe në fund, ndikon edhe tek e gjithë ekonomia në tërësi, sidomos nëse bëhet fjalë për një numër të madh biznesesh”, tha Ergis Sefa, ekspert për ekonominë.
Profilet duket që janë të mirëorganizuara në nismën e tyre për të sabotuar punën private të bizneseve, duke orientuar edhe si duhet të formulohet një përshkrim i keq. Por pa menduar që kjo situatë mund të shfrytëzohet nga konkurrentët në treg.
“Është shumë e rëndësishme që të jemi të kujdesshëm që në fillim me mesazhe të tilla sepse nuk ndalon me një, dy apo tre biznese, por myund të shkojë me 10, 20, 100 e kështu me radhë. Mund të jetë edhe një formë për të eliminuar konkurrencën apo për të vënë në disavantazh konkurrencën. Elementë të caktuara promovojnë dhe shtyjnë ose përfitojnë nga kjo dallgë sulmuese për përfitimet e tyre. Godasin konkurrencën dhe lirojnë sadopak vend në treg që nuk e fitojnë dot përmes shërbimit, cilësisë. Është shumë gabim dhe shumë e dëmshme”, shtoi Sefa.
Momenti kur bizneset po përballen me këtë valë sulmesh është gjatë sezonit turistik, një akt antikombëtar në sektorin me zhvillimin më të vrullshëm në vend.
“Është një dëm që duhet kohë të rikuperohet nëse vazhdon dhe përhapet akoma më shumë. Turizmi në themel ka marketimin e Shqiopërisë si një vend të qëndruesh2ëm, të sigurt, me cilësi në shërbime, nëse në këtë valë ti vendos këto frena, atëherë do të sjellë dëme në turizëm dhe do t’i shohim në vitet që vijnë”, tha Sefa.
Njohës të fushës bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe që ky vrull të ndalet menjëherë, duke nënvizuar se ekonomia është e të gjithëve dhe dëmtimi apo zhvillimi i saj na prek të gjithëve e mund të ketë pasoja të pallogaritshme.





