Udhëheqësit politikë kanë nisur sot takimet për konstituimin e institucioneve të reja të Kosovës të dala nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit. Fillimisht, kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar me kreun e Partisë Demokratike Bedri Hamza në ambientet e Kuvendit. Para takimit Kurti u shpreh optimist para takimit.
“Presim që ky takim të jetë konstruktiv dhe të konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të”, tha kryeministri Albin Kurti.
I të njëjtës linjë ishte edhe kryetari i PDK-së Bedri Hamza.
“Ne po shkojmë me iu përgjigj ftesës pa paragjykuar, ku uroj dhe besoj që me pas sukses, me pas progres, vendi me pas institucione, me pas stabilitet institucional edhe me pas progres e përparim”, u shpreh kreu i PDK-së Bedri Hamza.
Hamza theksoi se nuk ka vija të kuqe me asnjë parti dhe është i gatshëm të bisedojë më të gjitha subjektet politike.
“Qëndrimi im është i qartë. Te unë është gjithmonë konsistenca prezent. Gjithmonë kam deklaruar që s’ka vija të kuqe me partitë politike, gjithmonë jam i gatshëm me bisedu me secilin lider politik në interes dhe në dobi të vendit dhe normalisht që deklarata ime ka qenë publike, ka qenë e qartë”, shtoi Hamza.
Ndërkohë në orën 18:00 kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti pritet të bisedojë edhe me kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku. Takimet mes udhëheqësve politikë vijnë dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të qershorit, të cilat u mbajtën pasi muaj më parë, partitë dështuan të arrinin konsensus për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.





