Policia ka zbardhur autorësinë e dyshuar të vrasjes me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Laç, ku mbeti i vrarë Ilir Lika, rreth 40 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, pas hetimeve intensive të kryera nga grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, është identifikuar autori kryesor i dyshuar i ngjarjes.
Në kërkim është shpallur shtetasi E. S., alias A. S., 40 vjeç, banues në Laç, i cili dyshohet se është i përfshirë në vrasjen e shtetasit I. Gj., i njohur edhe me disa emra të tjerë, ngjarje e ndodhur rreth orës 22:10 të datës 9 korrik 2026 në Kurbin.
Nga verifikimet e policisë rezulton se 40-vjeçari ka precedentë penalë brenda dhe jashtë vendit. Ai është dënuar më parë me 5 vite burg për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ndërsa rezulton gjithashtu me precedent për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, ai është arrestuar edhe në Belgjikë për veprën penale të vjedhjes.
Për kapjen e tij janë angazhuar, përveç strukturave vendore të Policisë së Lezhës dhe Komisariatit të Kurbinit, edhe forcat e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e tij vijojnë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, si dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë pasur rol në këtë ngjarje.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





