Milani ka mposhtur 3-0 Interin në Derbi dhe ka siguruar biletën për në finalen e Kupës së Italisë. Luka Joviç ka qenë protagonisti absolut i këtij takimi duke shënuar dy herë.
Sulmuesi i Milanit realizoi nga një gol në secilën pjesë. Në fund të pjesë ssë parë Joviç realizoi me kokë duke shfrytëzuar maksimalisht krosin e ardhur nga ana e djathtë të dhënë nga Jimenez.
Ndërsa me fillimin e pjesës së dytë ishte sërish Joviç i cili përfitoi nga një mosmarrëveshje e mbrojtjes së Interit për të realizuar dhe golin e dytë.
Ndërkohë në fund të ndeshjes kuqezinjtë shënuan edhe golin e tretë me anë të Rejnders.
Milani kualifikohet në finale me rezultatin e përgjithshëm 4-1, pasi në sfidën e parë kuqezinjtë patën barazuar 1-1.
Pas kësaj humbjeje Interit i shuhen ëndrrat për tripletë, dhe tashmë mbetet në garë vetëm në luftën për titull ku është me pikë të barabarta me Napolin dhe në Champions League ku do të ndeshet me Barcelonën në gjysmëfinale.
Mbrëmjen e së enjtes do të mësohet dhe finalisti i dytë i Kupës së Italisë ku do të përballet Bolonja me Empolin.





