Nesër do të nis zyrtarisht fushata elektorale për garën e madhe të 11 majit.
Gazetarja Enkelejda Mema ka ndarë detaje nga çelja e fushatës së PS-së.
Në studion e Quo Vadis në Vizion Plus, nën moderimin e Pranvera Borakajt, gazetarja deklaroi se ditën e nesërme, PS-ja do të ketë një takim në orën 16:00, ku do të jenë të pranishme të gjitha gratë socialiste.
Ndërkohë, një ditë më vonë, në datë 12, siç zbulon Mema, Rama dhe partia e tij do të zhvillojë zyrtarisht fushatën elektorale, teksa ligjërimin kryesor do e ketë kryesocialisti.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Çfarë presim nga çelja e fushatës së PS?
Mema: Këtë herë, fushatën do ta nisim pak ndryshe. Të premten do të ketë një takim në orën 16:00, ku do të jenë të pranishme të gjitha gratë socialiste, pasi Partia Socialiste gjithmonë ka ditur të vlerësojë rolin e gruas. Do të ketë një lidhje online nga të gjitha qarqet. Nga qarqet do të flasë po ashtu një grua që është kandidate, kryesisht në listë të hapur dhe më pas në listë të mbyllur. Në fund, do të jetë Rama ai që do të mbajë fjalën.
Të shtunën është nisja zyrtare. Data 12, ora 12:00, në sheshin Skënderbej. Data 12 është e lidhur edhe me 12 yjet e flamurit të BE-së. Do të jetë sheshi, një podium i madh, një lidhje online me të gjitha qarqet, që do të mund të ndiqet online, si edhe nga mbështetësit e PS që do të jenë të pranishëm aty. Ligjërimin kryesor, sigurisht, do ta mbajë kryesocialisti Edi Rama. “Shqipëria anëtare në BE 2030” është slogani i PS-së.
/vizionplus.tv





