Falë ecurisë së mirë të punimeve, dy lotet e para të zgjerimit të autostradës Tiranë-Durrës pritet të hapen për qarkullim brenda këtij viti.
“Punimet po ecin me ritme shumë të kënaqshme. Në ditët në vijim pritet të fillojnë punimet për ndërtimin e shtresave asfaltike. Afati kontraktual i punimeve, sipas grafikut, është në mesin e muajit shtator të vitit 2026, por, duke qenë se punimet kanë ecur me ritme shumë të mira, pritshmëritë janë që të hapet për qarkullim brenda vitit 2025. Dy lotet e para kanë një gjatësi 6 km dhe fillojnë pas mbikalimit të Casa Italia-s, deri në afërsi të mbikalimit të Kasharit ose mbikalimi i Rinasit.”, tha Adja Sefa – përgjegjëse, sektori i menaxhimit të projekteve, ARRSH.
E gjithë autostrada e zgjeruar pritet të marrë formë të plotë pas 3 vitesh.
“Në planin e investimeve të këtij viti është parashikuar edhe faza e tretë e punimeve për zgjerimin e këtij segmenti rrugor, që konsiston në rehabilitimin e mbikalimit të Kasharit dhe segmentit rrugor deri në nyjën lidhëse të segmentit Thumanë-Kashar. Për lotet e tjera, për plotësimin e të gjithë segmenteve deri në Durrës, është parashikuar gjatë 3 viteve zhvillimi i tyre”, shtoi Sefa.
Prej nëntorit, punime po kryhen edhe për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, që do të bëhet me 3 korsi dhe me trotuare. Por ky projekt nuk do të përfundojë para sezonit turistik të këtij viti.
“Punimet e rrugës së Ksamilit parashikohen të mbyllen gjatë vitit 2026, nuk është e mundur hapja e qarkullimit të mjeteve para këtij sezoni veror. Qarkullimi i mjeteve do të vijojë normalisht sipas rrugës ekzistuese, duke qenë se punimet po bëhen në një segment të ri. Objekti i ri i rrugës së Ksamilit është me gjatësi 6 km dhe vetëm 1.4 km përfshin rrugën ekzistuese, pjesa tjetër është segment i ri rrugor.”
Brenda këtij viti pritet të nisin punimet edhe për ndërtimin e rrugës Kashar-Pezë-Lekaj, një aks me gjatësi prej 27 km që pritet të jetë me pagesë.
Kontrata është miratuar në fund të vitit 2024 për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Kashar-Pezë-Lekaj. Koncesionari duhet të dorëzojë fillimisht projektin e detajuar të zbatimit. Pas miratimit të këtij projekti dhe lirimit të sheshit të ndërtimit, punimet mund të fillojnë menjëherë. Pritshmëria është që punimet të nisin në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti.”
Ndërkohë, në terren po punohet edhe për rehabilitimin e rrugës së vjetër Kombinat-Ndroq-Plepa, ku deri tani është kryer 30% e punimeve në lotin e parë, që nis nga dalja e Kombinatit deri në Pezë-Helmes.





