Një ditë pas samitit për paqen në Ukrainë , presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se ka patur një propozim të përbashkët me shefin e qeverisë britanike për arritjen e një armëpushimi 1 mujor.
“Shpresojmë të arrijmë një armëpushim një mujor në ajër, det dhe infrastrukturë energjetike. E mira e këtij armëpushimi është se mund të kontrollohet. Ndërprerja e armiqësive, si fillim nuk do të kishte të bënte me luftën tokësore, sepse në rast të një armëpushimi, do të ishte shumë e vështirë të verifikohej se vija e frontit respektohet”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.
Megjithatë, qeveria britanike është distancuar duke mohuar që ka patur diskutime mes Presidentit francez Emanuel Macron dhe kryeministrit britanik Keir Starmer për një plan të tillë.
“Asnjë marrëveshje nuk është arritur mbi atë se si do të duket një armëpushim. Por, ne po punojmë së bashku me Francën dhe aleatët tanë evropianë për të shqyrtuar se cili është rrugëtimi drejt krijimit të një paqeje të qëndrueshme në Ukrainë”, tha ministri britanik i Forcave të Armatosura, Luke Pollar.
Ndërsa ka shpërndarë një video në rrjete sociale, presidenti ukrainas Volodymir Zelensky ka akuzuar Putinin se nuk kërkon paqe dhe uljen në tavolinë për negociata, por vijimin e luftës.
“Ukraina po lufton për jetën normale dhe të sigurt që meriton, për një paqe të drejtë dhe të besueshme. Ne duam që kjo luftë të përfundojë. Por Rusia nuk e bën këtë, dhe vazhdon terrorin e saj ajror: gjatë javës së kaluar, më shumë se 1,050 dronë sulmues, gati 1,300 bomba ajrore dhe më shumë se 20 raketa janë lëshuar në Ukrainë për të shkatërruar qytete dhe për të vrarë njerëz. Ata që kërkojnë negociata nuk godasin qëllimisht civilët me raketa balistike”, deklaroi Zelensky.
Zelensky kërkoi më shumë ndihmë nga ndërkombëtarët.
Në samitin e të dielës në Londër ku morën pjesë liderët e disa vendeve të Bashkimit Europian, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe kryediplomati i Turqisë, u ra dakord që Presidentit amerikan Donald Trump t’i paraqitej një plan paqeje që garanton sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës, ndërsa u theksua se paqja nuk mund të ketë pa u marrë parasysh interesat e këtij vendi.
/vizionplus.tv






Docks po ndodh ngakush ? nuk po dim cfar po ndodhe ? cfar do ndodh?! Perse do ndodh tani…!!! Ndarje e botes nga superfuqite si me pare… te vegjelit do Bush e?!