Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në 35-vjetorin e themelimit të PS-së në Tiranë, theksoi se sot Shqipëria është përballë një udhëkryqi, mes së shkuarës dhe së ardhmes.
Ai tha se, pavarësisht dhimbjes që shkakton reforma në drejtësi, socialistët janë në mbështetje të plotë të drejtësisë së pavarur.
“Një forcë politike nuk hyn në histori për të bërë rrugë, por hyn për të bërë shtet. Ajo që nisi me Fatos Nanon si zëdhënës kundër vetëgjyqësisë është filli që pastaj ka vazhduar duke u zgjatur, fillimisht me shumë vështirësi, pastaj më shpejt, me Reformën në Drejtësi dhe me përpjekjen për ta bërë drejtësinë të pavarur.
Edhe fakti që sot ne jemi në 35-vjetorin e PS-së së Tiranës lidhet me këtë rrugëtim. Sot ne, pikërisht sepse nuk jemi si ata të tjerët dhe nuk jemi si asnjë nga të tjerët, nuk po kërkojmë liri për të burgosurin politik Erion Veliaj, pasi kjo nuk është çështja jonë.
Sado e padrejtë të na duket ne, pikërisht pse jemi këtu për të bërë histori dhe për t’u lënë fëmijëve tanë një Shqipëri tjetër, kemi vetëm një detyrë: atë që Nano e kreu më së miri, jo vetëm duke përballuar burgun, por duke përballuar edhe poshtërime të tjera, pa i hapur asnjëherë portat e detit të PS-së për ta përmbytur Shqipërinë nga e para, por duke krijuar kushtet që të vijmë këtu ku jemi.
Sot jemi në udhëkryq mes të shkuarës dhe të ardhmes. Mes Shqipërisë që kemi pasur dhe Shqipërisë që ne kemi mision ta çojmë në Bashkimin Evropian.
Dhe ajo Shqipëria në BE kërkon sakrifica të të gjitha llojeve, ndërsa drejtësia është e vetmja sakrificë reale që politikanët bëjnë kur kanë fuqi, sepse lëshojnë pushtet, dorëzojnë një shpatë që ajo shpatë t’u vejë te koka e tyre.
Këtu ndahet dhimbja për të vazhduar që ajo ngrehinë e brishtë të ndërtohet pa kthim, me pafuqinë për të përballuar dhimbjen dhe me kthimin mbrapa në histori.
Prandaj PS-ja nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapa, sepse nuk ka asnjë shans të tradhtojë fëmijët e këtij vendi. Por nuk ka asnjë shans të tradhtojë ata që i dhanë shumë këtij vendi”, tha Rama.





