Kryesocialisti Edi Rama në festën e 35 vjetorit të themelimit të PS, e ka nsiur me batutë me një prej më të vjetërve në Partinë Socialiste, Gramoz Ruçin.
Rama tha se askush nuk e kupton pse Ruçi është gjithnjë me fytyrë të ngrysur, por kush e njeh, e di që ai i përgjigjet çdokujt.
Duke shtuar me batutë se Ruçi është kryepatronazhisti i Partisë Socialiste.
“Dalja e Gramozit këtu më kujtoi një fjalë të legjendarit Fate Velaj, i cili kur u bë deputet i PS-së, pas ca kohësh tha: ‘Çfarë misteri është me këtë njeri që 35 vite në majë, 35 vite me fytyrën e ngrysur?’
I thashë unë: ‘Si e shpjegon?’ Tha: ‘Ky duhet të jetë profesion më vete, se ne u meruam duke qeshur, por nuk na ndjek njeri nga mbrapa siç e ndjekin këtë.’
Nuk është vetëm që është i ngrysur prej 35 vitesh, por 35 vjet Facebook jo, TikTok jo e jo. Që kur ka dalë telefoni celular, asnjë SMS nuk ka bërë akoma tani që flasim; i punon telefoni vetëm në marrje.
Plus kësaj, në 35 vjet intervista në media ka dhënë 3.5. Si shpjegohet kjo?
Në fakt, kjo e ka shpjegimin te telefoni, sepse askush nga ne nuk i ka në telefon të gjitha kontaktet që ka Gramozi, nga veriu në jug, nga ditët para themelimit, gjatë themelimit dhe pas themelimit.
Askush nga ne nuk e ka arritur dhe nuk e arrin dot atë që Gramozi ka bërë dhe vazhdon të bëjë: jo vetëm që i përgjigjet çdo njeriu, jo me SMS ,është kuadër i vjetër, thotë ‘mos më lër gjumë’, por me telefon, një për një.
Jo vetëm aq, por po të mbledhësh rrugët e Gramozit për vaki, për ngushëllime, për dasma e për pagëzime, janë të panumërta.
Pra, ajo që Fate Velaj nuk e kuptonte dot, dhe shumëkush që nuk e di si funksionon Gramozi, është se në fakt Gramozi është kryepatronazhisti i PS-së.
Unë e di që kjo do ta ngatërrojë prapë opozitën dhe ata që e ngatërrojnë sistemin e patronazhimit, sepse Gramozi, përveç fytyrës së ngrysur, ka edhe hijen e kryeagjentit.
Por nga Gramozi dua të kaloj te ata që askush s’i përmendi, por që janë arsyeja bazë e të gjitha sukseseve tona: patronazhistët e PS-së”, tha Rama.





