Analisti Ergys Mërtiri tha se SPAK është duke kryer një punë të mrekullueshme dhe ka thyer mitin 35-vjeçar, mitin e pathyeshmërisë.
Në një lidhje në Edicionin Qendror të Lajmeve në Televizionin Kombëtar, Vizion Plus, të moderuar nga Roland Zili, analisti u shpreh se sulmet e Ramës dhe Berishës janë të kuptueshme, sepse të dy janë të kërcënuar nga drejtësia e re.
Z. Mërtiri theksoi se kjo reformë në drejtësi duhet mbrojtur, sepse është e vetmja shpresë që një realitet i ri politik të prodhohet dhe që të pandëshkueshmit të mos jenë më të pandëshkueshëm.
Intervista e plotë:
Ditët e fundit Rama dhe Berisha, secili në mënyrën e tij, kanë vënë në dukje nevojën për reformim të sistemit të drejtësisë, kryesisht të SPAK. Ju si mendoni, a duhet të ndryshojë politika penale e SPAK-ut?
Mërtiri: Politika penale e SPAK duhet të vazhdojë dhe të thellohet. SPAK ka bërë një punë të mrekullueshme, të paimagjinueshme. Kemi një institucion që ka thyer mitin tashmë 35-vjeçar, mitin e pathyeshmërisë. Sulmet e Ramës dhe Berishës janë të kuptueshme, sepse të dy janë të kërcënuar nga drejtësia e re. Të dyja palët nuk kanë më luftë me njëra-tjetrën, sepse e kanë ndarë se kush do të jetë në pushtet e kush në opozitë. Po të dyja palët janë duke ndërtuar një politikë që synon të zhbëjë atë që është arritur deri më tani me reformën në drejtësi, me shpresën se edhe faktori ndërkombëtar do të jetë më i lëkundur, pasi ka ndryshuar qeveria.
Kemi pasur raste kur shumë persona të dyshuar kanë qëndruar gjatë në paraburgim, kanë dalë të pafajshëm, kanë marrë dëmshpërblim, madje ka pasur edhe raste kur kanë humbur jetën atje. A ka një shqetësim që duhet ngritur, përveç ngjyresave politike?
Mërtiri: Këto kanë ndodhur me drejtësinë e mëparshme.
Jo, këto kanë ndodhur me SPAK.
Mërtiri: Çdo prokurori ka gabimet e veta, por kjo nuk do të thotë që puna në përgjithësi të jetë e gabuar. Vetë reforma në drejtësi është e ndërtuar në një mënyrë ku çdo prokuror punon veçmas. Dhe kjo bën që jo të gjithë prokurorët të kenë të njëjtin gjykim apo të vlerësojnë njësoj nëse një rast përmbush kriteret për të marrë arrest me burg apo jo. Secili prokuror është i pavarur nga tjetri. Dhe nëse ke një prokuror të pavarur, ai mund të godasë këdo, ndoshta edhe kryeministrin. Në një vend jonormal, ku ka mafie, krim të organizuar edhe nga politikanët, duhet një prokurori me “dhëmbë të hekurt” dhe me dorë të fortë, që të ketë fuqinë për të goditur lart.
Sa peshë do të kenë qëndrimet e partive ndaj SPAK-ut në fushatën zgjedhore të 11 majit, duke pasur parasysh se ai është institucioni më i besueshëm?
Mërtiri: Palët janë në armiqësi me SPAK-un, sepse të dyja janë në konflikt interesi. SPAK është bërë për të gjykuar dhe hetuar politikën. Ato parti që janë aty për t’u hetuar nga SPAK flasin kundër SPAK-ut. Rama nuk duhet të gjykojë një institucion. Fakti që ata janë në armiqësi me SPAK-un tregon se SPAK po e bën mirë detyrën, sepse ndryshe do ta kishin ledhatuar. Kjo reformë në drejtësi duhet mbrojtur, sepse është e vetmja shpresë që një realitet i ri politik të prodhohet dhe që të pandëshkueshmit të mos jenë më të pandëshkueshëm.
/vizionplus.tv





