Ish-deputeti i Partisë Socialiste Enver Reçi ka rrëfyer në studion e emisionit “Quo Vadis” të moderatores Pranvera Borakaj, momentin e arrestimit të Fatos Nanos.
Ai tregoi fjalët e fundit që u kishte thënë kreu i Partisë Socialiste asokohe, dhe se pas arrestimit të tij, shumë njerëz dolën në shesh, madje u bë thirrje për t’u sulmuar burgu ku po mbahej Nano.
Pjesë nga biseda:
Borakaj: Kishte ndonjë moment që familja ju tha në ato moment të vështira “Po ç’të duhet, tërhiqu nga politika”?
Reçi: Jo, e kam patur mbështetje gruan. Djali im ka qenë në FRESH, edhe ka qenë luftëtar. Madje arriti deri atje sa do shkonte SHIK-u ta arrestonte në shkollë dhe ka ndenjur për 1 javë është fshehur. Për shkak se ata shpërndanë natën trakte për të liruar Fatos Nanon nga burgu.
Borakaj: Si ishte moment i arrestimit të Fatos Nanos.
Reçi: Kemi qenë në Konferencën e Tiranës, te Akademia e Arteve. Foli Fatosi dhe tha “Shqipëria nuk është han pa porta. Unë po iki por shokë të dashur, mire u takofshim”.
Borakaj: E prisnit ju?
Reçi: Kishin dëgjuar, kishim indicie dhe kur shkoi atje i vunë hekurat. Pasdite është bërë manifestim i madh, kanë dalë njerëzit në rrugë. Derisa pati edhe thirrje “të shkojmë të sulmojmë burgun”. Aty kanë ardhur dhe kanë arrestuar në godinën e PS Fatmir Kumbaren, hynë më forcë dhe e morën Sekretarin e Përgjithshëm.
/vizionplus.tv





