Nga Blerina Cene
Apeli i Posaçëm nuk i kthen celularin dhe dokumentet e sekuestruara Ajola Xoxës. Vendimi u dha sot nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili zëvendësoi gjyqtaren, Iliriana Olldashin që kishte dërguar raport për paaftësi në punë.
Në 20 dhjetor gjykata e shkallës së parë la në fuqi vendimin e kontrollit të agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit që mësynë orët e para të mëngjesit në shtëpinë e gruas së kryetarit të bashkisë.
Me qëllim për të çuar përpara hetimin pasuror, për të cilin Erion Veliaj ndodhet në burg dhe gruaja e tij në detyrim paraqitje agjentët sekuestruan telefonin personal dhe shkresa.
Menjëherë, pasi kontrolluan ambientet e shtëpisë së saj, hetuesit zbarkuan në edhe në Galerinë “Harabel”, që është në përdorim nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e Veliajt.
Çifti dyshohet se ka kryer korrupsion dhe pastrim parash në bashkëpunim 9 herë, ku Veliaj si kryetar i bashkisë vuri fondet publike në dispozicion të gruas e të familjravë të saj për të përfituar vetë. Ajola Xoxa dyshohet se ka fshehur origjinën e parave, prandaj SPAK e dyshon edhe se ka kryer mosdeklarim të ardhurash.
Sipas prokurorëve që vunë në sitë pasuritë e dyshes Veliaj- Xoxa, kjo e fundit ka blerë 860 mijë euro rroba e bizhuteri online duke përdorur karta krediti të personave të tretë. Mes tyre edhe atë të të ëmës, Valbona Xoxa.
Për këtë arsye kjo e fundit u mor sot në pyetje nga prokuroria antikorrupsion si person që mund të ketë dijeni mbi çështjen. Po aq, sipas burimeve vjehrra e kryebashkiakut Erion Veliajt dëshmoi edhe për episodet në të cilat përmendet emri i saj në dosjen e SPAK, siç është edhe origjina e vilës në Qerret, që për pronar faktik dyshohet se është vetë kryebashkiaku Erion Veliaj.
Ajola Xoxa nga dosja thuhet se ndonëse kishte përdorur karta bankare të personave të tjerë, u tradhëtua nga adresa fundore që kishte vendosur, ajo e shtëpisë së saj dhe e qendrës Harabel.





