Ernest Muçi realizoi një gol shumë të bukur në një prej dueleve hapëse të javës së 17 të kampionatit turk. Sulmuesi i talentuar shqiptar luajti titullar për skuadrën e tij Beshiktash në transfertë kundër Rizespor, ndeshje e cila përfundoi 1 më 1. Sfidë e vështirë shumë për skuadrën e madhe nga Stambolli e cila në pjesën e parë vuajti agresivitetin e vendasve. Disa raste për shënim të humbura nga Rizespor, që sidoqoftë ia doli të shënojë përmes një autogoli të Xhedson Fernandez në minutën e 38.
Ky disavantazh sikur e zgjoi skuadrën e Beshiktash e cila provoi të barazonte përmes një goditje dënimi të Xhedson FernandeZ. Megjithatë për të ekuilibruar shifrat mendoi 23-vjeçari i përfaqësueses sonë. Pasi mori një top në gjysmëfushën vendase dhe pasi kaloi me lehtësi një rival, Muçi gjeti hapësirën dhe gjuajti bukur me të djathtën nga distanca duke barazuar shifrat. Për sulmuesin kuqezi ky ishte goli i katërt në superligën turke në këtë sezon në 13 ndeshje të luajtura pa lënë mënjanë edhe një asist.
Në pjesën e dytë megjithë ngacmimet në të dyja portat rezultati nuk ndryshoi më. Beshiktash e sheh veten në vendin e pestë me 27 pikë, jashtë kupave të Europës, ndërsa Ernest Muçi mund të ngushëllohet të paktën me një kënaqësi personale në një sezon deri tani me shume ulje e ngritje në Turqi.





