Punimet e Samitit të Grave Afgane për herë të parë janë zhvilluar në vendin tonë. Samiti mblodhi në Tiranë gra dhe vajza aktiviste të të drejtave të njeriut nga Afganistani, që në fokus kanë përballjen e tyre me regjimin taleban.
Minisitri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në fjalën e tij theksoi se Shqipëria është pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të sjellë paqe dhe stabilitet në Afganistan.
“Vendi ynë ka qenë vokal në vlerësimin e guximit, qëndrueshmërisë dhe forcës së grave afgane. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’u ofrojë atyre burimet, ekspertizën dhe solidaritetin që u nevojiten për të rindërtuar jetën e tyre dhe për të krijuar një shoqëri ku barazia gjinore nuk është thjesht një ëndërr e largët, por një realitet i prekshëm”, tha ai.
Sipas kryediplomatit shqiptar, strehimi i afganëve tre vjet më parë, dëshmoi qartë vendosmërinë e qeverisë shqiptare, që secili prej tyre të ketë dinjitet njerëzor dhe siguri të plotë.
“Ne nuk hapëm dyert e shtëpive tona, ne hapëm zemrat tona për një popull fisnik e të shumëvuajtur. Garantimi i të drejtave të grave e vajzave dhe avancimi i agjendës “Gruaja, Paqja dhe Siguria” mbeten prioritetet kryesore për qeverinë shqiptare. Paqja afatgjatë nuk mund të arrihet pa përfshirjen dhe angazhimin kuptimplotë të grave”, u shpreh ministri Igli Hasani.
Ky event organizohet në bashkëpunim edhe me qeveritë e Spanjës dhe Zvicrës dhe shërben si një platformë për të ndërtuar unitet dhe për të përforcuar zërat e grave./vizionplus.tv





