Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka bërë një analizë të sigurisë në Shqipëri, duke theksuar se vendi nuk përballet me rrezik të lartë nga terrorizmi, por nga krimi i organizuar në rritje.
I ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus, Klosi u shpreh se, ndryshe nga e kaluara, sot grupet kriminale janë më të sofistikuara dhe me më shumë burime financiare.
Ai u ndal edhe tek vrasja e Azem Hajdarit, duke nënvizuar se e përdori më shumë PD, që ishte partia e tij, se sa pala tjetër.
Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi: Shërbimi atëherë ishte i hapur, dilte policia, dilte shtypi. Sot është më e vështirë nëse ka gjëra të tilla. Shohim sulmet kibernetike. Ata që marrin për detyrë për të eliminuar një njeri të rëndësishëm apo për skup për bomba, në Shqipëri nuk kanë ekzistuar ndonjëherë. Dy herë është përmendur për atentat ndaj Azem Hajdarit, një herë në Parlament dhe një herë ai që e mori. Në të dyja rastet kanë qenë probleme personale, një herë me deputetin e Kukësit dhe një herë me Haklajt. Por nuk është se u përfitua diçka në politikë me eliminimin e tij ose për jetën e vendit. Praktikisht vrasjen e Azem Hajdarit e përdori më shumë PD, që ishte partia e tij, nuk e përdori pala tjetër. Pala tjetër, ku isha edhe unë, humbëm. Ishte detyra jonë për ta mbrojtur dhe nuk e mbrojtëm dot. Shqipëria është vend i vogël, pa shumë probleme. Sot, praktikisht, nuk ka interes për akte terroriste bota në Shqipëri. Aktet terroriste duan të bëjnë efekt te publiku. Terrorizmi në Shqipëri ka qenë i infiltruar nga jashtë, jo për të bërë akte terroriste, por për t’u fshehur.
Krimi i organizuar sot është më i avancuar. Është me më shumë para, ikin nga Shqipëria që të mos ekstradohen. Mundësitë e krimit të organizuar sot janë më të zhvilluara. Policia ka qenë e vëmendshme. Përballë nuk ke budallenj që gabojnë. Mjetet që përdorin janë më të sofistikuara dhe vështirë t’i zbulosh. Krimi është i favorizuar sepse i zgjedh ai mjetet që përdor. Policia duhet t’u shkojë nga mbrapa të zbulojë se çfarë kanë në mendje ata. Krimi është në avancë, kualifikohen më parë ata. Shqipëria është më e hapur sot. Problem në Shqipëri nuk është terrorizmi, por krimi i organizuar.
/vizionplus.tv





