Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka komentuar rolin vendimtar të familjes Adem Jashari në luftën e Kosovës, duke theksuar se sakrifica e tyre ndikoi drejtpërdrejt në mobilizimin e shqiptarëve.
I ftuar në studion e QUO VADIS ai u shpreh se ndërhyrja brutale e forcave serbe ndaj familjes Jashari rezultoi një gabim strategjik, pasi solli efektin e kundërt nga ai që pritej.
Sipas Klosit, ushtria serbe mendoi se goditja ndaj familjes Jashari do të dobësonte mbështetjen për UÇK-në, por në realitet ajo rriti ndjeshëm përkrahjen popullore.
Klosi theksoi se lufta në Kosovë ishte një përballje e vështirë partizane kundër një ushtrie shumë më të fuqishme, ndërsa shtoi se vendimi për spastrimin etnik nga ana e regjimit serb solli reagimin e fortë të ndërkombëtarëve.
Ai nënvizoi se pas ngjarjes së familjes Jashari, shumë shqiptarë që më parë ishin skeptikë për suksesin e luftës iu bashkuan UÇK-së, duke rritur ndjeshëm radhët e saj, edhe pse shpesh të papërgatitur për konfliktin.
Fatos Klosi: Qeveria e sotme, edhe kur është akuzuar se nuk po bën aq sa duhet për ata që ndodhen atje, nxjerr shifrat sa kanë harxhuar për avokatët, por asgjë më shumë. PDK dhe shoqata e veteranëve të luftës kanë bërë organizime të mëdha, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në vende të tjera. Janë ankuar për këtë qëndrim që po mban gjykata e Hagës, por janë ata që vendosin, gjykatësit. Ishte e vështirë ardhja e kosovarëve, por nuk kishte rrugë tjetër. Millosheviçi, me absurditetin e vet, me këtë e pësoi, vendosi të bëjë pastrim etnik. Luftoi me policinë serbe UÇK dhe nuk ia doli. Ishte një luftë partizane dhe lufta partizane nuk është e lehtë të mposhtet. Ishte gafë e madhe pastrimi etnik, përzuri shqiptarët nga Kosova. Atëherë ndërkombëtarët ndërhynë seriozisht.
Ndërkombëtarët dinë pak më shumë. Bëjnë analiza dhe në luftën në Kosovë pati një diferencë mes opinioneve të DASH dhe të CIA-s. Kishte opinione të ndryshme. CIA ishte më përpara dhe historia i dha të drejtë CIA-s. Vlerë ishte guximi i tyre. Ushtria serbe ishte një nga ushtritë më të fuqishme të Evropës dhe po luftonte në Serbi. Të luftoje kundër një ushtrie të tillë, donte guxim. Ushtria serbe gaboi me familjen e Adem Jasharit. Ata menduan se populli nuk do ta mbështeste UÇK-në, por doli e kundërta. Populli e mbështeti shumë UÇK-në. UÇK ishte një organizatë amerikane dhe një organizatë që kishte bërë aksione kundër policisë. Por me ngjarjen e Adem Jasharit dhe sakrificën e familjes për të luftuar deri në fund, bëri efekt në popull. Ata që nuk besonin që Kosova do e fitonte lirinë me luftë, më vonë iu bashkuan UÇK-së. Erdhën me mijëra shqiptarë që morën armët dhe u bashkuan, edhe pse ishin të papërgatitur për këtë, madje edhe UÇK.
/vizionplus.tv





