Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka zbuluar detaje mbi mënyrën se si shërbimet inteligjente depërtojnë në rrjetet e krimit të organizuar.
I ftuar në studion e QUO VADIS në Vizion Plus, ai u shpreh se, ndonëse punonjësit e shërbimit nuk janë sekret, puna dhe bashkëpunëtorët mbeten thelbësisht të fshehtë.
Sipas Klosit, një nga mënyrat kryesore për të depërtuar në grupet kriminale është rekrutimi i një prej anëtarëve të tyre si bashkëpunëtor, i cili më pas furnizon me informacion strukturat shtetërore. Ai tha gjithashtu se një tjetër metodë është infiltrimi i një personi të lidhur me shërbimin brenda grupit, i cili duhet të fitojë besimin e anëtarëve dhe të dëshmojë aftësi për të qëndruar në rrjet.
Duke folur për momentet më të vështira gjatë drejtimit të SHIK, Klosi ndaloi edhe te ngjarja e vrasjes së Azem Hajdari, për të cilën tha se kishte pasur paralajmërime paraprake përmes Ministrisë së Brendshme. Ai shtoi se situata e asaj kohe ishte e tensionuar dhe institucionet u përballën me vështirësi në menaxhimin e krizës.
Pjesë nga biseda:
Klosi: Punonjësit e shërbimit nuk janë sekret. Kanë organika që firmosen në ministri. Sekrete është puna dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve. Po të rrish te dera e SHIK në mëngjes, i sheh se kush hyn. Më shumë u bë problem mediatik dalja e pagave të tyre sesa problem i vërtetë. Bashkëpunimi është sekret dhe nuk di të ketë dalë gjë tani. Rrjeti është i gjerë, sepse duhen informatorë. Duhet që krimin e organizuar ta kapësh, duhet të bësh për vete një nga anëtarët e shërbimit informativ dhe ndihmon. I lihen detyra dhe kthen përgjigje. E dyta është që të futësh në rrjet një tëndin. Të futet në grup dhe të dalë që është i zoti. E para është e lehtë. Pjesëtarët e grupit janë futur për të bërë para dhe e dinë që rrezikojnë atje.
Borakaj: Momenti më i vështirë në SHIK?
Klosi: Momentet më të vështira kanë qenë ngjarjet që ndodhën, si ajo e Azem Hajdarit. Ne e kishim lajmëruar përmes ministrisë së Brendshme. SHIK nuk del në lajme. Nëse del, gabohet. Ishin ngjarje të një rrethi familjar. Ne parashikuam 15 shtatorin. Ne nuk dinim datë, por u përdor vrasja e Azem Hajdarit, se ata morën institucionet. Ushtria nuk mund të përdorej. Policia që ndodhej në Tiranë u fsheh. Faktori ndërkombëtar, për kohën kur unë kam qenë, ka qenë ndihmës. Shqipëria në ’97 kishte 5 vjet që kishte kaluar nga një sistem i ndryshëm në një tjetër. Kalimi nga një sistem në tjetrin nuk është i lehtë. Erdhën amerikanët, pastaj italianët. Kur unë mora drejtimin e SHIK, i patëm prezentë të gjitha shërbimet dhe na ndihmuan, sepse dinin më shumë se ne.
/vizionplus.tv





