Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka komentuar zhvillimet lidhur me gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK në Hagë, duke e cilësuar procesin si të ndikuar nga një prapavijë e qëllimshme politike.
Ai u shpreh në studion e QUO VADIS se askush nuk e kishte parashikuar që çështje të tilla do të merrnin këtë rrjedhë.
Klosi theksoi se, që në momentin kur u diskutua në Parlamentin e Kosovës ngritja e gjykatës, kishte pikëpyetje të mëdha, ndërsa sipas tij, miratimi erdhi kryesisht si pasojë e presionit ndërkombëtar.
Ai shtoi se në atë periudhë Kosova po kalonte një tranzicion të shpejtë nga pushtimi serb drejt ndërtimit të institucioneve të saj, çka e bënte të vështirë një kontroll të plotë mbi situatën në terren.
Sipas Klosit, veprime individuale apo episode të izoluara nuk mund të interpretohen si një strategji kriminale e drejtuesve të UÇK. .
Ish-kreu i SHISH theksoi se zgjatja e procesit dhe mbajtja për vite e të akuzuarve në paraburgim tregon, sipas tij, se kemi të bëjmë me një çështje me prapavijë politike dhe jo thjesht juridike.
“Nuk na ka vajtur mendja ndonjëherë që do ndodhnin këto që po ndodhin, që do zhvillohej gjyqi në Hagë. Që kur u trajtua kjo në Parlamentin e Kosovës, e quajtëm ‘pse’. Dikush që kishte një armë dhe e mbante ilegalisht, nuk e menduam që të trajtohej si një politikë që do e inkriminonte drejtimin e UÇK. Pati diskutime të mëdha para miratimit, por pas një presioni nga aleatët ndërkombëtarë…
Po kalonte një regjim nga pushtimi serb në një regjim që do ta komandonin shqiptarët. Ishte një periudhë tranzicioni shumë e shpejtë. Kontrolli nuk ishte shumë efikas. Po ndodhte një ndryshim i madh në jetën sociale të Kosovës dhe nuk na e mori mendja që gjërat e vogla që kishin ndodhur do të trajtoheshin si një filozofi kriminale e udhëheqësve të UÇK. Kemi ngelur të zhgënjyer. Për mua, gjykata duhej ngritur, por të gjitha akuzat ishin të pabaza. Nisi nga një deklaratë e Dick Marty dhe rezultoi absurde. Për këtë, ndërkombëtarët më kanë pyetur edhe mua. U miratua nga presionet ndërkombëtare, por edhe me idenë që nuk do të trajtonte asgjë dhe në fund të dilnin të pastër. UÇK ka qenë e madhe, ka pasur edhe njerëz që kanë gabuar, por jo këta që akuzohen. Ata kanë 5 vjet brenda dhe ka një politikë të qëllimshme, ka një prapavijë”, tha Klosi.
/vizionplus.tv





