Fermerët e Farkës kanë marrë dhuratë disa pajisje dhe makineri që do të shërbejnë për ciklin e tyre të prodhimit. Pajisjet janë dhënë nga një organizatë gjermane.
“Sot kemi një mundësi të jashtëzakonshme të bashkëpunojmë me Gjermaninë sepse kemi kaluar nga ajo ndihma e viteve ‘90, ku shumë prej qytetarëve të qytetit tonë u futën në ambasadën gjermane si e vetmja shpresë për të ikur, tani jemi bërë bashkë me ambasadën gjermane për të ndihmuar fermerët të ndërtojnë këtu, të mbjellin këtu, të korrin këtu, të punojnë këtu dhe të rrisin familjet e tyre këtu. Kemi kaluar nga faza e lëmoshës, në fazën e bashkëpunimit, ku fermerët tanë do t’i punojnë tokat tona me të njëjtat pajisje që punohen në Gjermani”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë apeloi që qytetarët të konsumojnë produkte vendase.
“Kam një ftesë për qytetarët që përgatiten të shkojnë me pushime: Mbusheni makinën me produkte që prodhohen këtu. Kur dikush blen perime dhe fruta të vendit, gjelin e Baldushkut, verën e Lundrës, domaten e Shëngjergjit, nuk ka blerë vetëm ushqim për barkun, por ka blerë edhe librat e shkollës për një gocë të vogël, që do të shkojë në shkollë në shtator. Nëse doni të jeni patriotë sot, nuk ka nevojë të thoni “O sa mirë me qenë shqiptar”, se atë e thonë të gjithë. Është krenari kombëtare të shërbesh diçka, që është rritur nga duart, djersa, pasioni dhe dashuria e fermerëve tanë”, shtoi Veliaj.
Veliaj tha se muaji gusht është një kohë pune krysisht në infrastrurkurën publike, në rrugë dhe shkolla, për ti paraprirë sezonit të vjeshtës./vizionplus.tv





