Në ditën e shenjtërimit të Nënë Terezës, në ambientet e Presidencës përmes një ekspozite nga Arkivi i Shtetit janë sjellë dokumente, dorëshkrime si dhe foto të shenjtores, një pjesë e të cilave dëshmojnë vizitën e saj në Shqipëri për herë të parë në gusht të vitit 1989.
Kontributin dhe gjurmët e lëna të Nënë Terezës i përshëndeti presidenti Bajram Begaj. Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit përcolli mesazhin për rendesine qe ka vijimi misionit të saj.
BAJRAM BEGAJ
PRESIDENT I SHQIPËRISË
Veprat e Nënë Terezës mes të varfërve dhe të magjirnalizuarve, dashuria e saj për të vuajturit dhe përpjekjet e saj të mëdha për t’i dhënë shpresë atyre që ishin në mjerim vazhdon e frymëzon brezat. Le të vazhdojmë para me trashëgiminë e saj që përfaqëson vlerat e vetëmohimit, mirësisë dhe dashurisë në jetë.
Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ndodhet në një vizitë në Tiranë. Ajo vlerësoi ndikimin e Nene Terezes në frymëzimin e miliona njerëzve në botë.
VJOSA OSMANI
PRESIDENTE E KOSOVËS
“Kjo ekspozitë është një udhëtim në faqet e historisë të jetës së saj personale por edhe njerëzve në përgjithësi, duke e ditur që ajo ishte e të gjithëve edhe për të gjithë, trashëgimia e saj vijon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë globin. Këto dokumente dëshmojnë se Nënë Tereza nuk bëri vepra për bujë, por bëri bujë me vepra. Vepra e saj karakterizohet me angazhim të pashoq për të mirën e njerëzimit. Kjo trashëgimi është jo vetëm në funksion të kujdesit ndaj veprimtarisë së saj por edhe një testament për brezat që vijnë.”
Në 5 shtator të vitit 2016 Papa Françesku shenjtëroi murgeshën katolike Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, datë kjo që përkon me ditën kur ajo, më vitin 1997-n, u nda nga jeta.





