Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zhvilluar nje takim me artistet, moment qe e ka shfrytëzuar per te ripërsëritur qasjen e opozitës kundër qëndrimit te qeverise ne raport me prishjen e Teatrit Kombëtar dhe ligjin e ri per artin.
Sipas Bashes dy dekada me pare kur Edi Rama u vendos ne krye te Ministrisë se Kulturës ka synuar prishjen e kesaj ndërtese dhe tashme thjesht po rikthen projektin e vjeter te tij.
“Dua ta bëj të qartë qëndrimin sot për çdo artist shqiptar, për çdo artdashës shqiptar: Partia Demokratike është kundër prishjes së Teatrit Kombëtar, Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në krah të artistëve dhe iu bën thirrje qytetarëve, artdashësve t’i bashkohen protestës së tyre legjitime.”
Basha ka deklaruar se opozita do te hartoje nje alternative konkrete per artin dhe kulturën, te cilen do ta depozitoje me pas ne parlament.
“Dhe padyshim nuk do të jetë largët dita kur shqiptarët do ta aprovojnë dhe miratojnë këtë projekt kombëtar për artin dhe kulturën në thelb të së cilës do të jetë jo thjesht nderimi, respekti, vënia në vend dinjiteti i artistëve të cilët sot diskriminohen dhe goditen financiarisht, përçmohen, përbuzen, përçahen nga një kryeministër që vinte nga bota e artit, s’mund të them më që vjen nga bota e artit, por mesa duket është pikërisht kompleksi i artistit të dështuar që e çon drejt urrejtjes ndaj artit. Dhe që po zhvillon një projekt leninist të uljes së kokës së artistëve, elitës së kombit për ta asgjësuar një tjetër vatër të mendimit të pavarur.”
Ne qendër te aksionit opozita ka qene mbështetja e çdo grupi apo qytetari qe ka pakënaqësi ndaj qeverise; duke nisur nga qytetaret e Kukësit te cilet preken nga taksa e rrugës se Kombit, tek biznesi i vogël i cili preket nga TVSH e deri tek artistet. Ne kete fryme nje dite me pare kreu i PD Basha zhvilloi nje takim edhe me familjaret e protestuesve te Kukësit qe ndodhen ende ne burg.





