Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore në fshatin Janç Mal, në Njësinë Administrative Tunjë të Bashkisë Gramsh. Vatra është evidentuar gjatë ditës së djeshme dhe, menjëherë pas marrjes së informacionit, strukturat vendore janë mobilizuar për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve.
Në operacion janë angazhuar 8 punonjës të shërbimit zjarrfikës dhe 5 punonjës të shërbimit pyjor të Gramshit, të cilët kanë mbërritur në kohë të shpejtë në zonën e prekur nga zjarri. Megjithatë, ndërhyrja është vështirësuar ndjeshëm për shkak të terrenit të thyer dhe malor, ku nuk është e mundur depërtimi i mjeteve automobilistike.
Për të arritur deri te vatra e zjarrit, punonjësit kanë udhëtuar fillimisht rreth një orë me automjet, ndërsa më pas kanë vijuar për afro një orë të tjera në këmbë, duke transportuar në shpinë pajisjet dhe mjetet e nevojshme për ndërhyrje.
Puna ka vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes, ndërsa këtë të enjte ekipet janë rikthyer në terren që në orët e para të mëngjesit, rreth 05:00, për të vijuar luftën me flakët.
Sipas të dhënave nga terreni, deri më tani sipërfaqja e përfshirë nga zjarri llogaritet në të paktën 3.5 hektarë, ndërsa ekipet po punojnë për izolimin e plotë të vatrës dhe për të parandaluar përhapjen e saj në zona të tjera.
Terreni i vështirë malor, distanca nga rruga dhe pamundësia e futjes së automjeteve zjarrfikëse e kanë bërë këtë ndërhyrje një prej operacioneve më të vështira për shërbimet lokale.
Për përballimin e situatës është përdorur edhe metoda e kundërzjarrit, një prej teknikave më të specializuara për luftimin e zjarreve pyjore.
/vizionplus.tv





