Nga Sesila Frangu
Një shqiptare është vlerësuar me një nga çmimet më prestigjioze në botë në fushën e sigurisë kibernetike.
Esmeralda Kazia është shpallur fituese e titullit “Cybersecurity Woman of the World”, duke u bërë shqiptarja e parë që merr këtë vlerësim në arenën ndërkombëtare.
“Ka momente që nuk të ndryshojnë vetëm një karrierë, por të kujtojnë rrugën se si dhe pse ke arritur deri aty. Kështu e përjetova këtë vlerësim me përgjegjësi dhe emocion, por mbi të gjitha me mirënjohje. Nuk e pashë si një sukses personal, por si mesazh që edhe profesionistët nga Shqipëria mund të vlerësohen në nivelin më të lartë ndërkombëtar”, shprehet Kazia.
Për Esmeraldën, ky vlerësim përfaqëson motivim për të vazhduar të kontribuojë në zhvillimin e teknologjisë dhe të ndajë përvojën me brezat e rinj.
“E shikoj këtë vlerësim si një përgjegjësi për të vazhduar të ndërtoj, ndaj përvojë e mbi të gjitha të vijojmë me zhvillimin e brezit të ri. Të krijojmë sa më shumë mundësi për brezin që po vjen”, thotë ajo.
Një mesazh të veçantë Kazia pati edhe për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë karrierën në këtë fushë.
“Të zgjedhin se ku duan të kenë ndikim në botë. Brezi i tyre nuk do ta trashëgojë thjesht të ardhmen digjitale, por do ta ndërtojë atë. Teknologjia do t’u mundësojë të konkurrojnë globalisht dhe njëkohësisht t’i shërbejnë vendit të tyre. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për përdorues të teknologjisë, por ka nevojë për njerëz që që e krijojnë, janë inovatorë dhe mbrojtës të sa”, ishte mesazhi i Kazias.
Çmimi iu dorëzua gjatë një eventi ndërkombëtar në Austri, ku morën pjesë mbi 5 mijë profesionistë nga 30 vende të botës. Fituesit u përzgjodhën nga një juri ndërkombëtare për kontributin dhe ndikimin e tyre në fushën e sigurisë kibernetike.





