Një minator 40-vjeçar me detyrë brigadier në minierë, dyshohet se ka rënë në një furnelë gjatë procesit të punës në një galeri kromi në fshatin Tërnovë të Bulqizës dhe gjetja e trupit të tij ende nuk është bërë e mundur deri tani.
Që prej mesditës të së shtunës në minierën e Tërnovës së Madhe në Bulqizë ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimin për gjetjen e trupit të minatorit Ilir Kalaveri.
Ngjarja e rëndë u regjistrua ditën e djeshme rreth orës 13:30, teksa Kalaveri ndodhej në brendësi të galerisë dhe dyshohet se ka rrëshqitur në një hapsirë boshe. Për pasojë, dyshohet se është mbuluar me inerte.
Grupi hetimor dhe specialistët e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë dhe Emergjencave në Miniera janë në vendngjarje dhe po punojnë për të nxjerrë 40-vjeçarin Ilir Kalaveri.





