Pas përfundimit të takimit të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me bashkatdhetarë nga diaspora në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë, kryeministri në detyrë Albin Kurti u pyet nga gazetarët lidhur me vijimin e bisedimeve me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për formimin e institucioneve të reja.
Kurti tha se do të shfrytëzohen ditët në vijim për të qenë sa më të përgatitur para nisjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke theksuar se ende nuk mund të parashikohet rezultati i këtyre përpjekjeve.
“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.
Kurti, partia e të cilit i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit ka nevojë për një marrëveshje me opozitën për t’u siguruar që vendi do të ketë president të ri, dhe kështu t’i japë fund krizës së gjatë politike e institucionale.
Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në, e cila fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.





