Vetëm 25 kilometra larg qytetit të Maliqit ndodhet Strelca, një nga fshatrat më të njohur të krahinës së Gorës, që vitet e fundit po përjeton një ringjallje falë zhvillimit të turizmit.
Një pjesë e banorëve kanë nisur të rikthehen në vendlindje për të investuar.
Njëri prej tyre është Erjon Kapedani, i lindur dhe rritur në Tiranë, i cili ka vendosur të investojë duke ngritur një resort turistik e duke pritur vizitorë nga vende të ndryshme të Evropës.
“Është fshati i të parëve të mi. Na pëlqen ta themi të vërtetën. Kur filloi të zhvillohej turizmi malor dhe dëgjuam për të, vendosëm të bënim diçka.
Deri në shtator, 90% e vizitorëve janë të huaj. Më pas, ambientet i japim kryesisht gjatë fundjavave dhe kemi edhe vizitorë shqiptarë”, thotë Kapedani.
Strelca sipas Kapedanit ofron gjithçka që kërkojnë turistët, nga natyra e paprekur, liqenet dhe kanionet, deri te tradita dhe mikpritja.
“Mund të ngjiten në mal, ku ndodhen liqenet e Valamarës. Kemi Liqenin e Zi nga Gramshi dhe Moglica. Janë disa pika nga të cilat mund të kalojnë”, thotë ai.
Turistët shprehen të mahnitur nga bukuritë natyrore të zonës, ushqimi tradicional dhe mikpritja e banorëve.
“Vij nga Belgjika, hera e parë, e gjetëm nëpërmjet booking. Ne mendojmë se është një nga vendet më të bukura që kemi pare. Mikpritja të bën çudi. Mësuam edhe të gatuajmë shqip. Ja vlejti që erdhëm këtu”.
“Vend fantastik, njerëz të mrekullueshëm. Përshtypja e parë është e shkëlqyer. Shqipëria është një nga vendet më të bukura që kemi pare”.
Administratori i Njësisë Administrative Gorë thotë se interesi për investime në turizëm po shtrihet edhe në fshatra të tjerë të zonës.
“Turizmi në fshatrat e Njësisë Administrative Gorë ka njohur zhvillim në fshatin Strelcë, por edhe në fshatra të tjerë, si Zvarishti dhe Loshani. Pothuajse po përhapet në të gjithë njësinë administrative”, thotë Ronaldo Skënderi.
Njësia Administrative Gorë përfshin 16 fshatra, të cilët po tërheqin gjithnjë e më shumë vizitore.





