Kontrollet nga toka dhe monitorimi me dronë kanë çuar në zbulimin e një parcele me mbi 1100 bimë narkotike në Dibër.
Operacioni antidrogë u zhvillua nga strukturat e policisë së Dibrës, me komisariatin e Matit dhe Kamzës, pas informacioneve të siguruara për kultivim të bimëve narkotike.
Gjatë kontrolleve, në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, në territorin e Bashkisë Dibër, policia konstatoi një parcelë në pronë publike, ku ishin kultivuar 1121 bimë Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Në flagrancë u arrestuan dy persona 38 dhe 39 vjeç, njëri prej tyre banues në Kamzë ndërsa tjetri në fshatin Derjan të Matit, pasi dyshohet se kishin kultivuar bimët narkotike.
Policia bën të ditur se kontrollet në terren dhe monitorimi nga ajri do të vijojnë, ndërsa u kërkohet qytetarëve, veçanërisht banorëve të zonave rurale, të denoncojnë çdo rast apo indicie për kultivimin e bimëve narkotike.





