Një aksident rrugor është regjistruar rreth mesnatës në aksin e Transballkanikes, pranë ish-Hipotekës, në qytetin e Vlorës.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip Porsche, me ngjyrë të bardhë, ka përplasur një vajzë të re, e cila po kalonte rrugën në vijat e bardha.
Pas aksidentit, drejtuesi i automjetit nuk është ndalur për t’i dhënë ndihmë të dëmtuarës, por është larguar nga vendi i ngjarjes.
Vajza është transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë.
Sipas dëshmive të disa personave që ndodheshin pranë vendit të aksidentit, automjeti dyshohet se ka hyrë në kryqëzim me semafor të kuq. Megjithatë, ky pretendim mbetet i paverifikuar zyrtarisht dhe pritet të konfirmohet nga hetimet e Policisë, përmes administrimit të pamjeve të kamerave të sigurisë dhe veprimeve të tjera procedurale.
Deri më tani nuk ka një informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të resë, ndërsa identiteti i drejtuesit të automjetit që u largua nga vendi i aksidentit ende nuk është bërë i ditur.
Policia e Vlorës pritet të dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me ngjarjen, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit dhe identifikimin e autorit.





