Deputeti socialist Erion Braçe shprehu rezerva ndaj projektligjit për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore, duke argumentuar se ai nuk do të japë efektet e pritshme nëse nuk shoqërohet me reforma në tregun bujqësor dhe sistemin fiskal.
Gjatë diskutimeve në Kuvend, Braçe theksoi se hapi i parë duhet të jetë rishikimi i politikave fiskale për prodhimin dhe produktet bujqësore.
“Duhet ta nisim nga sistemi fiskal që kemi për prodhimin dhe produktet bujqësore. Nëse s’e bëjmë, ka dështuar që tani”, u shpreh ai.
Sipas deputetit socialist, një tjetër problem që kërkon zgjidhje është përqendrimi i disa roleve te i njëjti operator ekonomik, i cili njëkohësisht furnizon fermerët me inpute, grumbullon prodhimin, e eksporton dhe e financon.
“Në rastin kur janë bashkë dhe në krahun tjetër janë edhe prodhues, çmimi që do t’i imponojnë bujkut është gjithnjë e më i ulët”, tha Braçe, duke argumentuar se kjo krijon një pabarazi të madhe në raport me fermerin.
Ai solli edhe një shembull të mënyrës se si, sipas tij, zhvillohen sot negociatat mes grumbulluesve dhe fermerëve në terren.
“Shprehja që përdoret sot nga këta është: ‘Do ta lësh shalqirin me kaq lekë? Jo. Epo ik p*rdhu se nuk ta marr’. Kjo është marrëdhënia tregtare sot atje në fusha”, deklaroi Braçe.
Deputeti socialist theksoi se mbështetja për fermerët nuk mund të kufizohet vetëm te krijimi i një instrumenti financiar.
“Asnjë dëftesë tregtare nuk do ta mbrojë bujkun nëse nuk rregullojmë tregun, nuk rregullojmë sistemin fiskal dhe mbrojmë bujqit”, u shpreh ai.
Në përfundim, Braçe pranoi se në sektor ka edhe raste suksesi, por theksoi se praktikat abuzive ndaj fermerëve duhet të marrin fund sa më shpejt, në mënyrë që, sipas tij, bujqit “të marrin frymë”.





