Të paktën 200 persona janë identifikuar nga Policia e Shtetit, në lidhje me sulmet e orkestruara të ngjashme me sulmet terroriste kibernetike, me të cilat janë përballur bizneset private gjatë këtyre ditëve të fundit.
Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije për Vizion Plus se nga kqyrja e 10 mijë profileve që po verifikohen, të paktën janë evidentuar 200 persona me profilet e tyre të sakta, por që dyshohet se kanë krijuar më adresa falso zinxhir në mënyrë për të goditur virtualisht bizneset private të hoteleri turizmit, resorte, bujtina, restorante dhe shumë aktivitetet të tjera private.
Pas deklaratës së drejtorit të Përgjithshmë të Policisë së Shtetit, Skender Hita, të paktë 10 biznese të tjera i janë drejtuar uniformave blu ku kanë bërë kallëzimin e tyre pasi kanë rënë pre e sulmeve të paprecedenta duke u bombarduar me adresa falso që sulmonin bizneset e tyre.
Hetuesit kanë dyshime të forta se sulmet kibernetike në masë që kanë ndodhur, të ngjashme me sulmet e hakerave iranianë ndaj faqeve shtetërore, janë kryer në bashkëpunim ku autorët komunikonin në grupe të ndryshme dhe pasi shënjestronin një subjekt privat, hapnin faqe falso në google dhe më pas nisnin sulmin duke komentuar negativisht në rewiew e bizneseve.
Policia ka arritur që të zbulojë dhe këta persona nuk kanë shkelur asnjëherë në bizneset që kanë sulmuar dhe nuk kanë qënë klientë të tyrë, por mbi të gjitha një person brenda ditës ka arritur që të vlerësojë negativisht 5 biznese të ndryshme në disa qytete të vendit.
Kjo tregon haptazi, për grupin hetimor se kemi të bëjmë me një sulm të orkestruar virtual ndaj bizneseve të vendit me qëllim shkatërrimin e imazhit të tyre. Madje janë zbuluar dhe komunikimet që anëtarët të këtyre grupeve komunikonin për sulmet e tyre të rradhës, komunikime që po verfikohen nga policia.
Hetimet për dëmtimin e imazhit të bizneseve private po kryhen mbi disa vepra penale si falsifikimi kompjuterik ku vetëk kjo vepër penale parashikon dënim nga 3 deri në 10 vite burg.
Sa i takon kësaj vepre penale, grupi hetimor po analizon pikërisht identitetet false, llogaritë e krijuara artificialisht, koordinimi mes autorëve dhe përdorimin e këtyre të dhënave si vlerësime të vërteta klientësh.
Gjithashtu autorët e këtij sulmi do të përballen dhe me akuza të tjera si manipulim i tregut, manipulimit të çmimeve dhe përhapjes së informacioneve të rreme, shpifjes, prishja e imazhit etj.
Ndërkohë autoritetet po punojnë gjithashtu dhe me gjigantët e teknologjisë “Google” dhe “Meta”, në mënyrë që të parandalohet sulmi kibernetik dhe prifilet e bizneseve të kthehen në normalitet duke hequr efektin e krijuar si pasojë e faqeve të rreme, të hapura nga një grup personash pikërisht për të sulmuar këto biznese.
/vizionplus.tv




