Festa e Liqenit të Shkodrës ishte kryefjala e kësaj fundjave, duke tërhequr vizitorë vendas dhe të huaj në brigjet e kësaj pasurie natyrore, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Për turistët, kjo ishte një ndër eksperiencat më të veçanta, me shëtitje mes zambakëve të ujit dhe natyrës së paprekur.
“Jam nga Shtetet e Bashkuara. Kam rreth një muaj që jam këtu dhe do të qëndroj edhe disa javë të tjera. Kisha dëgjuar në internet për veriun e Shqipërisë dhe sa i bukur është. Ka male kudo, ndaj pse të mos e përjetosh një vend të tillë? Deri tani ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Erdha spontanisht dhe njerëzit janë jashtëzakonisht të sjellshëm e mikpritës.”
“Jam nga Zvicra. Është hera ime e parë në Shqipëri. Më pëlqen shumë. Liqeni ka një natyrë të mrekullueshme, me florë dhe faunë të pasur, ndërsa qyteti është gjithashtu shumë i bukur. Nuk e prisja që natyra të ishte kaq e veçantë dhe që të kishte kaq shumë male ku mund të bësh ecje. Është vërtet fantastike.”
“Mendoj se e gjithë Shqipëria është shumë e bukur, por Shkodra, si porta drejt Alpeve, të jep mundësinë të eksplorosh kulturën dhe natyrën në një mënyrë krejt unike. Është një vend si askund tjetër.”
Përveç shëtitjeve në liqen, vizitorët patën mundësinë të njihen më nga afër me historinë e kësaj zone, biodiversitetin e pasur dhe traditat vendase.
Festa e Liqenit konfirmoi edhe një herë potencialin e Shkodrës si një nga destinacionet më tërheqëse turistike të verës, duke promovuar natyrën, traditën, kulturën dhe mikpritjen që e dallojnë këtë zonë.
/vizionplus.tv




