Një valë sulmesh të koordinuara në platformat online po godet prej ditësh një sërë biznesesh shqiptare, kryesisht në sektorin e turizmit, në kulmin e sezonit veror.
Përmes komenteve dhe vlerësimeve masive negative, këto biznese po përballen me një goditje të drejtpërdrejtë ndaj reputacionit të tyre, me pasoja që, sipas ekspertëve, mund të shtrihen shumë përtej këtij sezoni turistik, duke dëmtuar kështu një industri që në vitet e fundit ka qenë motori kryesor i ekonomisë
Njohësit e industrisë paralajmërojnë se, nëse kjo praktikë nuk ndalet, dëmi nuk do të kufizohet vetëm te bizneset e prekura. Në lojë është besueshmëria e Shqipërisë si destinacion turistik, në një kohë kur konkurrenca rajonale për turistët është më e fortë se kurrë.
“Një pjesë e mirë e bizneseve të targetuara janë buiznese turizmi që në këtë moment kërkohen nga turistët e huaj në internet. Është ndryshe të sulmosh me revieë Kryeministrinë sepse jo gjithkujt i intereson kjo godinë dhe tjetër gjë të sulmsoh me komente negative një aktivitet turizmi në mes të sezonit turistik. Edhe pse në një kohë të shkurtër nuk kanë impakt të menjëherëshëm, krijojnë një imazh negativ për sezonet e ardhshme. Jemi në rritje graduale të sektorit të turizmit në vendin tonë. Është e vërtetuar që turistët janë të predispozuar të lexojnë komentet e turiastëve që kanë qenë më herët. Në momentin që shihen këto komente, te turistët e huaj lihet përshtypja që diçka nuk është në rregull”, tha Feriold Ozuni, ekspert i Industrisë së Turizmit.
Ekspertët e konsiderojnë këtë fenomen një precedent të rrezikshëm, duke theksuar se protesta nuk mund të kthehet në një mekanizëm për të dëmtuar bizneset private që ushtrojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin.
“Është një aktivitet që duhet të ndalet menjëherë dhe duhet të merren masa të mos përsëritet më sepse ky është një aktivtet shumë i rrezikshëm përsa i përket industrisë turistike, por edhe në industri të tjera. Kjo konsiderohet një formë proteste nga organizatorët, por duhet të kuptojmë që liria jote përfundon aty ku cenohet e imja. Në fund të ditës, janë biznese në treg që funksionojnë mbi bazën e legjislacionit në fuqi. Në fund secili ka lirinë e shprehjes, por kur kjo liri shprehjeje koordinohet për të krijuar një disavantazh të dukshëm në ekonominë e tregut, mund të hyjë edhe në incidenca të ndryshme ligjore”, Ozuni.
Një ditë më parë, Policia e Shtetit deklaroi se mbi 10 mijë llogari dhe faqe me aktivitet të dyshimtë janë identifikuar si pjesë e një skeme që dyshohet se po përdoret për të publikuar masivisht komente dhe vlerësime negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve turistike, me synim dëmtimin e reputacionit të tyre dhe goditjen e imazhit të Shqipërisë si destinacion turistik. Për këtë sulm virtual strukturat e hetimit të krimit kibernetik kanë nisur hetimet për verifikimin e platformave online.





