Një persona ka rrahur afër shtëpisë së tij analistin Ilir Demaliaj. Ai ka bërë kallëzim pranë komisariatit nr.3, ku ka pretenduar se sapo ka dalë nga banesa është dhunuar.
Ai thotë se autori është një banor i zonës, që e kishte akuzuar se kishte lajmëruar policinë për të shkuar për të gjobitur makinat e parkuara keq në rrugë.
Policia ka identifikuar autorin e dyshuar dhe e ka shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
Sot, më datë 01.07.2026, rreth orës 12:00, në rrugën “Çamëria”, dyshohet se, për motive të dobëta, është goditur me grusht gazetari, shtetasi I. D., i cili është transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit R. S., i cili është shpallur në kërkim. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale, është bërë bllokimi dhe sekuestrimi i automjetit të përdorur nga autori i dyshuar.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rrethanave të ngjarjes.





