Ka nisur mbrëmjen e sotme protesta e 27-të radhazi kundër qeverisë, me qytetarë të mbledhur sërish përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e kabinetit qeveritar.
Pas grumbullimit fillestar, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të kryeqytetit, duke vijuar tubimin me thirrje dhe pankarta që përcjellin mesazhe politike dhe qytetare.
Mes pankartave të mbajtura në protestë spikasnin mesazhe si “35 vite pushtet, 3 emra, 1 fat: Llogaridhënie”, “Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Europa mbështet demokracinë, jo korrupsionin”.
Protestuesit kanë kërkuar dorëheqje të menjëhershme të qeverisë, duke e cilësuar situatën politike si nevojë për ndryshim të thellë dhe reformim të klasës politike që, sipas tyre, ka dominuar vendin prej dekadash.
Organizatorët dhe pjesëmarrësit theksojnë se tubimet po zhvillohen në mënyrë paqësore dhe i konsiderojnë ato një shprehje të ushtrimit demokratik të së drejtës për protestë.





