Zgjerimi i Bashkimit Europian për kryeministrin Edi Rama nuk duhet parë si një akt bamirësie por si një nevojë strategjike për vetë Europën.
Në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, kreu i qeverisë kishte kritika për unionin pasi Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet jashtë shumë projekteve strategjike europiane.
“Na futni në arkitekturën strategjike të Europës tani. Na jepni vend në tryezë, para se të na jepni veto. Na jepni pjesëmarrje, para se të na jepni komisionerë. Na jepni përgjegjësi, para se të na jepni ornamente institucionale”, tha Rama.
Rama siguroi Europën se Shqipëria është gati për rrugëtimin e ri.
“Shqipëria është gati. Gati të reformohet. Gati të krijojë novacion. Gati të kontribuojë. Gati të mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë. Por pyetja e vërtetë nuk është nëse Shqipëria është gati. Pyetja e vërtetë është nëse Europa është gati?”, tha kreu i qeverisë.
Kryeministri nuk harroi të përmendë dhe çështjen e Zvërnecit me pretendimet se qytetarët janë dezinformuar.
“Një propozim për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u bë befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar përpara se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore”, tha Rama.
Ramai bëri thirrje Europës që krahas investimeve në mbrojtjen ushtarake, të krijojë urgjentisht një “mburojë” kundër manipulimit algoritmik të perceptimit publik.





