Mungesa e fuqisë punëtore vijon të mbetet një nga problemet më të mëdha për fermerët e juglindjes së vendit, veçanërisht në këtë periudhë kur nis sezoni i vjeljes së prodhimeve në pemëtari dhe drufrutore.
Sipas fermerit Ferdinand Ali nga fshati Dvoran i Bashkisë Korçë, situata është përkeqësuar vitet e fundit për shkak të largimit të punëtorëve drejt Greqisë. Fermeri shprehet se rritja e vazhdueshme e çmimeve të imputeve bujqësore, plehrave kimike dhe naftës ka sjellë një rritje të ndjeshme të kostove të prodhimit.
Edhe eksperti i bujqësisë, Ylber Bylykbashi, pohon se gjatë kësaj periudhe fermerët grekë tërheqin një numër të madh punëtorësh nga juglindja. Sipas Bylykbashit, një tjetër faktor që favorizon largimin e punëtorëve është siguria më e madhe e punësimit tek fermerët e vendit fqinjë.
Mungesa e fuqisë punëtore nuk po ndihet vetëm në sektorin e bujqësisë. Të njëjtin problem po e përjetojnë edhe bizneset e hotelerisë, baret dhe restorantet e zonës.
Sipas operatorëve, largimet drejt Greqisë, por edhe drejt qyteteve bregdetare të vendit, ku ofrohen paga më të larta gjatë sezonit turistik, kanë vështirësuar ndjeshëm gjetjen e punonjësve në juglindje.
/vizionplus.tv





