TIRANË – Një incident është shënuar mëngjesin e së premtes mes një qytetari dhe një efektivi të Policisë Rrugore pranë një qendre tregtare në Tiranë. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po verifikojnë pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur rrethanat e plota.
Sipas burimeve, efektivi i rrugores ndodhej pranë vijave të bardha, duke orientuar këmbësorët për kalimin e rrugës, kur është përballur me një person që dyshohet se e ka kërcënuar me thikë. Më pas mes tyre ka pasur një përplasje fizike.
Sipas dëshmisë së policit, personi iu afrua nga pas dhe i vendosi një thikë në qafë.
“Për një moment nuk e kuptova se kush ishte ky person, pasi nuk e njihja. Kur pashë që më vendosi thikën në qafë, reagova menjëherë dhe e kapa me të dyja duart”, mësohet të ketë deklaruar efektivi.
Pas ndërhyrjes, i dyshuari, Dorjan Kasa, u arrestua nga policia. Ai nuk ka pranuar të japë deklarime dhe të shpjegojë motivet dhe arsyen pse tentoi yë godasë me thikë efektivin.
Hetimet për ngjarjen vijojnë./vizionplus.tv





