Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi revoltën e qytetarëve para Kryeministrisë, duke theksuar se respekton protestën e tyre. Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha vuri në dukje se PD ka axhendën e saj të protestave, por respekton çdo protestë të shoqërisë civile.
“Qëndrimi ynë: ne mbështesim plotësisht të drejtën e çdo qytetari për protestë, në mënyrë të palëkundur. Qëndrimi ynë është se ajo është një protestë që nuk është thirrur nga PD dhe nuk ka asnjë thirrje që të mbështetet nga PD. E kemi theksuar dhe e theksojmë: qytetarët e lirë kanë të drejtën të protestojnë për çdo gjë që ata e gjykojnë të arsyeshme.”
Në konferencën për shtyp, Berisha u fokusua te vrasja e policit Enea Mekolli në krye të detyrës. Berisha i përcolli ngushëllimet e tij familjes, duke kërkuar një hetim të plotë për të gjithë operacionin ku mbeti i vrarë efektivi i Shqiponjave.
“A ishte njësia e tij ajo që duhej të dërgohej për arrestimin apo neutralizimin e një banditi të armatosur? E një krimineli të armatosur? Apo janë njësitë e tjera ato të cilat, sipas ligjit, kanë detyrë të përmbushin këtë mision? A ishte njësia e Mekollit e pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtje nga armët e zjarrit? Janë të gjitha këto pyetje, të cilat Komisioni i Sigurisë në Parlament duhet t’i shqyrtojë, pasi këtu të tjerët janë në duart e krimit. I bëj thirrje edhe Prokurorisë të hetojë.”
Sipas Berishës, kjo ngjarje përforcoi alarmin se jeta e shqiptarëve është e rrezikuar për shkak të lidhjeve të qeverisë me krimin.
/vizionplus.tv





