Një situatë alarmante është krijuar në zonën e kodrës së Currilave në Durrës, ku një rrëshqitje masive dherash ka vënë në rrezik serioz dy pallate banimi.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa banorët janë evakuuar rreth orës 04:00 të mëngjesit për shkak të rrezikut të shembjes dhe përkeqësimit të situatës.
Rrëshqitja ka shkaktuar dëme të shumta materiale në zonë, ndërsa banorët shprehen të tronditur nga ajo që ka ndodhur.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e policisë, specialistë të emergjencave civile dhe punonjës të ndërmarrjes së shërbimeve komunale, të cilët po monitorojnë zhvillimin e situatës dhe po marrin masat e nevojshme.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se nevojitet një zgjidhje e studiuar dhe afatgjatë për stabilizimin e kodrës dhe shmangien e rreziqeve të ngjashme në të ardhmen.
Ndërkohë, ekspertët pritet të kryejnë vlerësimet teknike dhe gjeologjike për të përcaktuar shkallën e rrezikut dhe masat që duhet të merren për sigurimin e zonës.
/vizionplus.tv





