Qershori është muaji kur do të zbatohet rimbursimi me 10% për fermerët për çdo faturë shitjeje. Sipas sqarimit të bërë më herët nga Tatimet, rimbursimi do të bëhet i ndarë në dy faza, janar-qershor dhe korrik-dhjetor dhe për të përfituar, fermerët duhet të dorëzojnë të gjitha faturat e gjashtëmujorit.
“Nga të dhënat që kemi nga Tatimet, ka rritje të nr të faturave të lëshurara nga përpunuesit mbi 23%, deri tani shuma potenciale për tu komepsuar arrin në 6-6.5 mln euro, është proces në vazhdimësi që do të zgjasë deri në fund të muajit qershor”, njoftoi ministri i Financave, Petrit Malaj.
Në konferencën me gazetarët, ministri i Financave u ndal edhe te procesi i rivlerësimit, duke ndarë të dhëna që sipas tij, tregojnë për një interes të lartë të qytetarëve për këtë fushatë. Sa i takon rishikimit të referencave për pasuritë e paluajtshme në 60 bashkitë e vendit, Malaj tha se puna është ende në proces.
“Në vetëm dy muaj të ardhurat e realizuara në buxhet kapin shifrën e 3.9 mld lekëve apo rreth 40 milionë euro, çka në fakt dëshmon një interes të lartë të qytetarëve për këtë proces. Sa i takon referencave, grupi i punës është ende duke punuar, procesi është më kompleks nga sa e parashikojmë, përfshihen edhe bashkitë. Kur ti kemi gati, do ti ndajmë, por duhet të them që ky proces nuk e pengon procesin e rivlerësimit. Nëse ka individë që duan të bëjnë rivlerësim, edhe ku nuk ka rishikim të referencave, mund ta bëjnë me rivlerësues privat”, tha Malaj.
Brenda verës qeveria do të ketë gati edhe draftin për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet.
“Projektligji është ndarë me të gjitha ministritë, po bashkërendojmë të gjithë ndryshimet që do të bëjmë, shpresojmë që maksimumi deri në korrik do ta përcjellim në qeveri për miratim”, tha Malaj.
Pas zhurmës së krijuar gjatë ditëve të fundit për detyrimin e një grupi biznesesh për të instaluar POS për të ofruar edhe mundësinë e pagesave me kartë, ministri sqaroi se nuk do të ketë shtyrje të afatit apo peridha tranzitore për subjektet, por u shpreh i hapur për të diskutuar për shqetësimet e tyre.





